Vedat Muriqi pritet të largohet nga Majorka në fund të sezonit, pavarësisht formës së shkëlqyer që ka treguar gjatë këtij edicioni në La Liga. Sulmuesi dardan ka realizuar 21 gola, duke zhvilluar sezonin më të mirë në karrierën e tij duke u renditur i dyti në listën e golashënuesve, pas Kilian Mbape.
Megjithatë, situata e vështirë e Majorkës në kampionat mund të ndikojë drejtpërdrejt në të ardhmen e tij. Klubi spanjoll rrezikon seriozisht rënien nga elita dhe i duhet një kombinim i favorshëm rezultatesh në javën e fundit për të siguruar mbijetesën, një skenar që konsiderohet mjaft i vështirë.
Në këto kushte, largimi i Muriqit nga Majorka shihet pothuajse i pashmangshëm. Për reprezentuesin e Kosovës ka interes të madh nga Superliga turke, ku Gallatasaraji dhe Fenerbahçe kanë nisur garën për transferimin e tij.
Muriqi ka një të kaluar te Fenerbahçe, ku në një sezon regjistroi 17 gola dhe 7 asiste në 36 paraqitje, duke lënë gjurmë të mira në futbollin turk. Pikërisht kjo eksperiencë e bën atë një profil tërheqës edhe për Gallatasarajin, që synon të forcojë repartin ofensiv për sezonin e ardhshëm.
Njohja e kampionatit turk dhe aftësia për t’u përshtatur menjëherë konsiderohen si avantazhe të mëdha për Muriqin, i cili mbetet një nga emrat më të kërkuar në merkato për verën që vjen.
Lini një Përgjigje