Përfshirja e Nejmarit në listën paraprake të Brazilit për Kupën e Botës 2026 ka shkaktuar reagime të forta në vendin amerikano-latin, duke hapur debate mes tifozëve, analistëve sportivë dhe figurave publike.
Vendimi i trajnerit Karlo Ançelotit për të grumbulluar sulmuesin 34-vjeçar po konsiderohet nga një pjesë e opinionit si një rrezik i madh, për shkak të problemeve të vazhdueshme fizike dhe mungesës së aktivizimit të rregullt të lojtarit në muajt e fundit.
Sipas raportimeve të mediave britanike, tekniku italian kishte hezituar deri në momentet e fundit për ta përfshirë Nejmarin në skuadër. Megjithatë, presioni i Federatës Braziliane të Futbollit dhe mbështetja nga disa prej liderëve të kombëtares ndikuan në vendimin final.
Mes lojtarëve që mbështetën rikthimin e Nejmarit ishte edhe Kasemiro, i cili, sipas raportimeve, zhvilloi diskutime të drejtpërdrejta me Ançelotin për rëndësinë që sulmuesi ka ende në grupin brazilian.
Po ashtu, mediat raportojnë se Nejmari zhvilloi një videotelefonatë emocionale me trajnerin italian, ku premtoi se do të respektonte disiplinën e skuadrës dhe do të kontribuonte për ekipin edhe nëse aktivizohej vetëm për disa minuta gjatë turneut.
Megjithatë, skepticizmi për gjendjen e tij fizike mbetet i lartë. Raportet e fundit flasin për një tjetër dëmtim të sulmuesit, i cili nuk ka luajtur me kombëtaren braziliane prej tre vitesh. Goli i tij i fundit me fanelën e Brazilit daton në vitin 2023.
Aktualisht pjesë e Santosit, klubit ku nisi karrierën profesionale, Nejmar ka zhvilluar vetëm 15 ndeshje këtë sezon, ndërsa problemet fizike kanë shoqëruar vazhdimisht rikthimin e tij në futbollin brazilian.
Vendimi i Ançelotit ka sjellë edhe kritika për përjashtimin nga lista të emrave si Zhoao Pedro dhe Riçarlison, të cilët konsideroheshin alternativa më në formë për repartin ofensiv.
Pavarësisht polemikave, Nejmar vazhdon të mbetet një figurë simbolike për shumë tifozë brazilianë, të cilët e shohin si një nga shpresat kryesore për rikthimin e Brazilit te titulli kampion bote, trofe që “Seleçao” nuk e fiton që prej vitit 2002.
Entuziazmi i tifozëve u pa edhe në momentin kur emri i Nejmarit u shpall zyrtarisht nga Karlo Annçloti, pasi në disa qytete braziliane pati festime me fishekzjarre dhe brohoritje në mbështetje të sulmuesit.
Lini një Përgjigje