
“Telenovela” që mban emrin e Niko Uilliams, duket sikur nuk do ketë kurrë fund, pasi dita-ditës del një “seri” e re. Barcelona është shumë pranë transferimit të anësorit spanjoll, por duhet të ulë faturën e pagave për të përmbushur kërkesat e La Ligës.
Dhe për ta bërë këtë gjë, po mendohet të sakrifikohet një lojtar shumë premtues si Fermin Lopez. Mesfushori i ri andaluzian, i cili ka demonstruar angazhim, përkushtim dhe talent që kur u fut në ekipin e parë, gëzon dashurinë e tifozëve dhe besimin e stafit të trajnerëve.
Megjithatë, drejtuesit e Barcelonës duket se kanë vendosur të bëjnë pikërisht Fermin Lopez “kokë turku” për të qenë në regull me fair-playin financiar dhe janë të gatshëm të presin oferta për mesfushorin e ri spanjoll.
Por, Fermin Lopez do largohet nga Barcelona vetëm nëse vjen oferta e duhur. Drejtuesit katalanas kanë vendosur shifrën 50 milionë euro për kartonin e Fermin Lopez. Bajerni i Mynihut, Liverpuli dhe Mançester Junajtid kanë shprehur interes për lojtarin, por ende s’ka pasur ofertë konkrete. Ditët në vijim pritet të ketë zhvillime të reja dhe padyshim do vijnë ofertat e para për një lojtar shumë premtues si Fermin Lopez.
Lini një Përgjigje