
Udine do të jetë mikpritëse e Superkupës së Europës 2025 mes PSG-së dhe Totenhemit, me presidentin e FIGC, Gabriele Gravina, që konfirmon se ky mund të jetë një nga stadiumet për “EURO 2032“.
Ndeshja e vetme zhvillohet çdo vit mes fituesve të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Europës.
Këtë vit, në fushë do të ketë edhe përfaqësues italianë: Xhanluixhi Donaruma me PSG-në, si dhe dyshja Gulielmo Vikario dhe Destini Udogi me Totenhemin.
UEFA ka caktuar “Stadio Friuli”, i njohur ndryshe si “Bluenergy Stadium” ku luan Udineze në Seria A, si vendin pritës për ndeshjen që do të zhvillohet të mërkurën, më 13 gusht.
“Ndihem shumë krenar të them se Italia do të mirëpresë për herë të parë ndeshjen e vetme të Superkupës së UEFA-s dhe jemi krenarë që kjo ndodh pikërisht këtu,” deklaroi presidenti i Federatës, Gravina, në një konferencë për shtyp.
“Ajo që është bërë këtu tregon sa e rëndësishme është të investohet në organizimin e këtyre ngjarjeve. Po punojmë edhe për “EURO 2032“, me shpresën që edhe Udine të jetë pjesë e saj.”
Italia kishte synuar fillimisht të ishte organizatore e vetme e turneut “EURO 2032“, por vështirësitë për të siguruar mjaft stadiume në përputhje me standardet ndërkombëtare bënë që ta bashkëorganizojë me Turqinë.
Lini një Përgjigje