
Artim Pollozhani nuk do të vazhdojë më në krye të skuadrës së Ballkanit. Pasuesi i Ilir Dajës ka paraqitur dorëheqjen pas eliminimit në Kupën e Kosovës nga skuadra e Rilindjes.
Njoftimi i Ballkanit:
“Tifozë të dashur, meqenëse rezultatet e fundit nuk përkojnë aspak me objektivat e klubit, Artim Pollozhani ka dhënë dorëheqje nga pozita e trajnerit, menjëherë pas humbjes së sotme.
Duke i uruar Pollozhanit suksese, klubi e ka pranuar dorëheqjen e tij, ndërsa gjatë ditëve vijuese do të ju njoftojmë për timonjerin që do të vijë në krye të skuadrës”, shkruhet në postimin e klubit.
Megjithatë drejtuesit e klubit kosovar nuk kanë humbur kohë dhe kanë gjetur marrëveshjen në parim me një emër të njohur të pankinës.
Burime të besueshme bëjnë me dije për Newsport.al që Orges Shehi pritet të marrë drejtimin e Ballkanit.
Ende nuk është konfirmuar nga klubi dhe nuk ka asnjë njoftim, por të njëjtat burime tregojnë se palët janë dakordësuar me kontratën që pritet të firmoset në orët e ardhshme. Shehi është një emër i njohur i trajningut në Shqipëri dhe jo vetëm.
Eksperienca me ekipe si Tirana, Partizani, Skënderbeu dhe Kukësi e kanë favorizuar atë për drejtimin e Ballkanit, skuadër me të cilën shkëlqeu dhe la gjurmë Ilir Daja. Pritet me interes të shihet se si do të jetë performanca e Ballkanit me në krye Shehin.
Megjithatë duhet pritur zyrtarizimi nga ana e klubit suharekas, pasi jo rrallëherë periudha e merkatos është treguar dinake.
Lini një Përgjigje