
Pas eliminimit në gjysmëfinalet e Champions League nga Arsenali, Atletiko e Madridit duket se e ka mbyllur sezonin pa objektiva dhe pa trofe. Ekipi i Diego Simeones pësoi një tjetër disfatë zhgënjyese në javën e 35-të të La Ligës, këtë herë në shtëpi ndaj Selta Vigos.
Sfida e zhvilluar në stadiumin “Metropolitano” u vendos nga një gol i Borja Iglesias në minutën e 62-të, që i dha miqve një fitore të rëndësishme me rezultatin 0-1.
Me këtë sukses, Selta Vigo ngjitet në vendin e gjashtë me 50 pikë, vetëm tre pikë larg Betisit që mban vendin e pestë. Duke qenë se La Liga do të ketë pesë skuadra në edicionin e ardhshëm të Champions League, fitorja e mban Seltën plotësisht në garë për një vend historik në elitën europiane.
Nga ana tjetër, Atletiko e Madridit mbetet në vendin e katërt dhe e ka siguruar tashmë matematikisht pjesëmarrjen në Champions League për sezonin e ardhshëm, por forma e fundit ka shtuar kritikat ndaj skuadrës madrilene pas një tjetër sezoni pa trofe.
Lini një Përgjigje