
Ardian Ismajli vazhdon të bëjë paraqitje të mira me Empolin. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare është pjesë fikse e formacionit të trajnerit Roberto D’Aversa, i cili ka folur për lojtarin kuqezi, në një intervistë të dhënë për “Corriere dello Sport”. “Ismalji tashmë është gati për një klub të madh”, – tha D’Aversa.
Ismajli gjithashtu po tregon një formë shumë të mirë edhe me Kombëtaren. Sipas medias italiane “Tuttosport”, ai është vënë në radarët e Juventusit. Bardhezinjtë janë në kërkim të një mbrojtësi pas dëmtimit të brazilianit Bremer dhe duket se zëvendësuesi më ideal është shqiptari.
Të dërguarit e Kristiano Xhuntolit e ndoqën live gjatë ndeshjes Lacio-Empoli dhe të njëjtën gjë do ta bëjnë edhe sonte në ndeshjen Çeki-Shqipëri në Pragë. Ismajli ka lënë tashmë një përshtypje të mirë ndaj tyre, por sonte duhet të shfaqë më të mirën nga vetja për t’i bindur. Dhe ndoshta mbrojtësi shqiptar në janar mund të jetë pjesë e Juventusit.
28-vjeçari është pjesë e Empolit prej 4 sezonesh, ndërsa ka mbajtur veshur fanelën e kësaj skuadre për më shumë se 70 ndeshje. Më herët, ai është impenjuar me Hajdukun e Splitit dhe Specias.
Lini një Përgjigje