
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka nisur zyrtarisht procedurat ligjore kundër oligarkut rus Roman Abramoviç, për shkak të moszhbllokimit të 2.5 miliardë paundëve të përfituara nga shitja e klubit të Çelsit. Këto fonde ishin parashikuar të destinoheshin për viktimat e konfliktit në Ukrainë.
Sipas një komunikate zyrtare nga “Downing Street”, Abramoviç nuk ka autorizuar ende transferimin e shumës, pavarësisht se ka kaluar afati 90-ditor i vendosur më parë. Autoritetet britanike deklarojnë se atij iu dha një mundësi e fundit për të vepruar, por pa rezultat.
Qeveria ka konfirmuar se do ta çojë çështjen në gjykatë për të detyruar zbatimin e angazhimeve të marra në vitin 2022, kur u finalizua shitja e klubit londinez.
Mosmarrëveshja mbi shumën dhe destinacionin
Çështja nuk lidhet vetëm me vonesën, por edhe me mënyrën e shpërndarjes së fondeve. Autoritetet britanike kërkojnë që e gjithë shuma prej 2.5 miliardë paundësh të shkojë për ndihmë në zonat e prekura nga pushtimi rus në Ukrainë.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit ligjorë të Abramoviç propozojnë që vetëm 987 milionë paund të shpërndahen, pasi pjesa tjetër, sipas tyre, duhet të përdoret për rimbursimin e huave të brendshme.
Ky qëndrim është bërë edhe më i ndërlikuar pas sanksioneve të fundit të Premier Ligë ndaj Çelsit për parregullsi financiare të ndodhura gjatë periudhës kur Abramoviç ishte pronar i klubit.
Lini një Përgjigje