TAGS-AT E JAVËS

Sport17 Mars 2026, 23:01

PSG plotëson hakmarrjen ndaj Çelsit, Arsenali vazhdon pretendimet në Ligën e Kampionëve, Reali nxjerr jashtë gare Sitin

Shkruar nga Pamfleti

PSG plotëson hakmarrjen ndaj Çelsit, Arsenali vazhdon pretendimet

Pas Sportingut të Lisbonës, edhe tre skuadra të tjera kanë prerë biletën për në çerekfinalet e UEFA Champions League: Arsenali, PSG-ja dhe Reali i Madridit.

Arsenali siguroi kualifikimin pas fitores 2-0 ndaj Bajer Leverkusenit në ndeshjen e kthimit, duke përfituar edhe nga barazimi 1-1 në takimin e parë.

Skuadra londineze zhbllokoi rezultatin në minutën e 36-të me Ebereshi Eze, i cili finalizoi saktë nga distanca pas një asistimi të Leandro Troshard. Në pjesën e dytë, në minutën e 63-të, Deklan Rajs dyfishoi shifrat me një goditje të fuqishme nga jashtë zonës, duke vulosur kualifikimin.

PSG-ja konfirmoi epërsinë e ndeshjes së parë (5-2) duke fituar edhe në transfertë ndaj Çelsit me rezultatin 0-3 në “Stamford Bridge”.

Francezët kaluan në avantazh që në minutën e 6-të me Kviça Kvaratskhelia, pas një aksioni individual. Vetëm tetë minuta më vonë, Bredli Barkola dyfishoi rezultatin pas një kundërsulmi të shpejtë. Golin e tretë e shënoi Seni Majulu në minutën e 62-të, duke vulosur një kualifikim bindës për PSG-në.

Reali i Madridit triumfoi edhe në ndeshjen e kthimit ndaj Mançester Sitit me rezultatin 1-2, pas fitores 0-3 në takimin e parë.

Vinicius Zhunior hapi serinë e golave në minutën e 22-të nga pika e penalltisë, e fituar nga vetë ai. Në të njëjtin rast, Bernardo Silva u ndëshkua me karton të kuq për prekje të topit me dorë. Siti barazoi në minutën e 41-të me Erling Haland, por në kohën shtesë Vinicius shënoi golin e dytë personal, duke siguruar fitoren për madrilenët.

Për Realin e Madridit, ndeshja u shoqërua edhe me zhvillime të kundërta: portieri Tibo Kurtua pësoi dëmtim, ndërsa një lajm pozitiv ishte rikthimi në fushë i Kilian Mbape.

psg çelsi real madrid mançester siti champions league

Lini një Përgjigje