
Një lajm i trishtë ka tronditur komunitetin sportiv shqiptar këtë të martë: ish-futbollisti i Lushnjës dhe Egnatias, Xhejms Ajinde, ka ndërruar jetë në moshën 24-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë.
Sipas informacioneve të bëra publike, sulmuesi nigerian vuante nga një formë kanceri në veshka. Pavarësisht përpjekjeve, ai nuk arriti të fitojë betejën me sëmundjen, duke u ndarë nga jeta në një moshë të re.
Ajinde ka qenë pjesë e disa skuadrave në Shqipëri, ku spikat kontributi i tij me fanelat e Lushnjës dhe Egnatias.
Një nga arritjet më të rëndësishme në karrierën e tij ishte fitimi i titullit kampion në Kategorinë Superiore me ekipin e Egnatias.
Klubi i Lushnjës reagoi publikisht përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ku shprehu dhimbjen për humbjen e ish-lojtarit:
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-lojtarit tonë, James Ayinde.
James veshi me krenari fanellën e KF Lushnja… Ai do të kujtohet për përkushtimin, pasionin dhe shpirtin luftarak…
KF Lushnja i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe miqve.”
Klubi e cilësoi Ajinden jo vetëm si një futbollist, por edhe si një njeri të mirë dhe pjesë të familjes sportive lushnjare.
Lini një Përgjigje