
Ish-trajneri i Kombëtares U-21, Redi Jupi, ka analizuar shanset e Shqipërisë përballë Polonisë në ndeshjen “Play-Off” të Kupës së Botës, gjatë një interviste në emisionin “Procesi Sportiv”.
Sipas Jupit, suksesi i deritanishëm i ekipit nuk ka ardhur nga individët, me përjashtim të ndeshjeve ndaj Hungarisë, ku vendimtar ishte sulmuesi Armando Broja. Megjithatë, ai thekson se aktualisht Broja nuk është në formën e duhur për të bërë diferencën i vetëm.
“Ne nuk i kemi fituar ndeshjet nga individët, përveç rasteve kundër Hungarisë me golat e Brojës. Sot ai nuk e ka më atë formë për të vendosur i vetëm,” u shpreh Jupi.
Ai shtoi se në përballjet ndaj kundërshtarëve si Polonia, Çekia dhe Moldavia, skuadra ka treguar një lojë më të organizuar, duke i mbajtur kundërshtarët në gjysmëfushën e tyre dhe duke krijuar hapësira për individët.
Në prag të ndeshjes së 26 marsit në Varshavë, Jupi thekson se Shqipëria nuk mund të mbështetet te zgjidhjet individuale, por duhet të funksionojë si një grup i unifikuar.
“Nëse fitojmë ndaj Polonisë, kjo do të vijë si rezultat i lojës në grup. Është thelbësore që ekipi të ketë frymën dhe idenë e duhur të lojës, ashtu si në ndeshjen ndaj Serbisë,” përfundoi ai.
Lini një Përgjigje