
Futbolli meksikan është tronditur nga lajmi për ndarjen nga jeta të portierit të ri Pablo Hurado Serafin, i cili ka humbur jetën në moshën vetëm 22-vjeçare.
Humbja e papritur ka shkaktuar reagime të shumta në radhët e Liga MX dhe veçanërisht te klubi i tij i fëmijërisë, Deportivo Toluka. Serafin ishte pjesë e akademisë së këtij klubi që prej vitit 2019, ku u formua si lojtar dhe hodhi hapat e parë në karrierën futbollistike.
Prej verës së vitit 2024, ai ishte pa ekip dhe në kërkim të një angazhimi të ri profesional. Lajmi për vdekjen e tij u konfirmua vetëm pak ditë pasi kishte festuar 22-vjetorin, çka e ka bërë ngjarjen edhe më të rëndë për familjen, miqtë dhe komunitetin sportiv.
Pas tragjedisë, klubi Deportivo Toluka reagoi me një deklaratë zyrtare, duke shprehur dhimbjen për humbjen e ish-portierit dhe duke i shprehur ngushëllimet familjes së tij.
“Ne në Deportivo Tolukca shprehim keqardhjen tonë të thellë për ndarjen nga jeta të Pablo Hurado Serafin, ish-portier i institucionit tonë,” thuhej në deklaratë. Dërgojmë ngushëllimet dhe mendimet tona më të mira për miqtë dhe familjen e tij.”
Serafin konsiderohej një pjesë e rëndësishme e akademisë së klubit, duke luajtur për ekipet U-17, U-20 dhe U-23 gjatë zhvillimit të tij si futbollist.
Ai pati gjithashtu një periudhë të shkurtër me Klub Vale de Bravo përpara se të rikthehej te Toluka për të vazhduar rrugëtimin e tij.
Megjithatë, ai nuk arriti të debutonte me ekipin e parë dhe u largua nga klubi pas përfundimit të karrierës së tij në nivelet e të rinjve.
Edhe presidenti i Federatës Meksikane të Futbollit, Mikel Arriola, reagoi në rrjetet sociale, duke shprehur dhimbjen për humbjen e lojtarit të ri.
“Jam thellësisht i trishtuar nga ndarja nga jeta e Pablo Hurado Serafin. Ngushëllimet dhe solidariteti im shkojnë për familjen e tij në këtë moment dhimbjeje të madhe,” shkroi ai.
Lini një Përgjigje