Deputetja Marjana Koçeku nuk do të jetë më pjesë e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit, pasi shumica socialiste vendosi ta zëvendësojë me deputetin Erion Malaj. Ndryshimi u njoftua në seancën plenare nga kryeparlamentari Niko Peleshi.
“Në komitetin parlamentar për stabilizim asocimin, deputetja Marjana Koçeku, largohet si anëtare dhe caktohet deputeti Erion Malaj”, tha ai.
Vendimi vjen vetëm pak javë pasi Koçeku njoftoi largimin nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, duke e shoqëruar vendimin me akuza të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe mënyrës së drejtimit të partisë.
Pas shkëputjes nga grupi socialist, Koçeku deklaroi se kishte marrë kërcënime nga anëtarë të fisit Bajri. Ajo u rreshtua gjithashtu në mbështetje të protestave kundër qeverisë, duke marrë pjesë në tubimet e organizuara në Tiranë dhe duke deklaruar publikisht se kërkesat e protestuesve duhej të dëgjoheshin.
Largimi nga grupi parlamentar u konsiderua si një nga përplasjet më të forta të muajve të fundit brenda Partisë Socialiste, ndërsa zëvendësimi i saj në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit shënon edhe largimin nga një tjetër funksion që mbante si përfaqësuese e mazhorancës.
Lini një Përgjigje