Kushëriri i Ervis Martinajt u ndalua nga policia te dera e banesës së Ilir Selmanit, i cili ndodhet në arrest shtëpie pas vendimit të Apelit të Posaçëm.
Emiljano Nina, kushëriri i ish-bosit të lojërave të fatit, që rezulton i zhdukur prej disa vjetësh, Ervis Martinaj, është arrestuar nga policia pranë banesës së Ilir Selmanit, i cili ndodhet në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Sipas të dhënave paraprake, Nina është ndaluar te dera e banesës dhe dyshohet se është kapur në posedim të një arme zjarri. Rrethanat e pranisë së Emiljano Ninës në banesën e Selmanit, si edhe qëllimi i takimit mes tyre, mbeten ende të paqarta. Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar që të sqarojë arsyen e ndodhjes së tij në këtë adresë.
Ilir Selmani është dënuar me 26 vite burg për vrasjen e ish-policit Santiago Malko. Më 19 qershor, Apeli i Posaçëm vendosi ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, duke e lënë në “arrest shtëpie”.
Në janar, Gjykata e Posaçme dha dënim edhe për Fatmir Hysenin, Aleksadër Maxhakun, Dritan Agën dhe Oltion Lonën, pjesë e grupit të vrasjes, 25 vjet burg për secilin (130 në total). I vetmi që mundi të marrë pafajësi ishte vëllai i Leonard Dukës, Elvis Duka, për të cilin SPAK nuk mundi të gjejë prova për implikimin e tij në atentat.
“Nuk kam asnjë lidhje me vrasjen. E kam mësuar në televizion. Vëllezërit Duka i kam shokë të ngushtë. Kam shkuar për drekë ditën e ngjarjes në lokalin që ata kishin marrë me qera. Dreka ishte rastësore për rreth 2 orë e 30 minuta. Ishim 8-9 veta në tavolinë, Blendi Teta, Fatmir Hyseni, Erlis Myftari solli Bledin dhe iku. Më kërkoi Erlis Duka që ta shoqëroja Blendi Tetën me makinë deri tek spitalet. Dëgjova diçka por nuk di nëse ishin krisma armësh apo jo. Më pas kur e mendova ngjarjen, e kuptova që ishin krisma. Pastaj mora makinën dhe kur shkova tek lokali, policia kishte rrethuar Erlisin dhe Leonardin. 4 ditë pas ngjarjes pashë që janë 9 veta në kërkim për vrasjen e Santiago Malkos”, deklaronte nw sallën e gjyqit Selmani.
Ndwrkohw, Emiljano Nina është një emër i njohur për organet ligjzbatuese, pasi është përfshirë në disa ngjarje të mëparshme. Ai u arrestua edhe në muajin maj të vitit 2023 në zonën e “5 Majit” në Tiranë.
Një prej episodeve më të njohura ku është përfshirë Nina është aksidenti i rëndë i ndodhur pranë Digës së Liqenit Artificial në Tiranë, në gusht të vitit 2023. Sipas informacioneve të publikuara në atë kohë, automjeti me të cilin ai udhëtonte po lëvizte me shpejtësi të lartë nga rruga “Kosovarët”, përpara se të përfundonte në digën e liqenit.
Njoftimi nga Policia
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të kontrolleve intensive për goditjen e paligjshmërisë dhe rritjen e parametrave të sigurisë, finalizuan operacionin policor të koduar “Road”.
Gjatë operacionit, në rrugën “Fitnete Rexha”, u ndalua për kontroll një motomjet me të cilin lëviznin shtetasit E. N., 31 vjeç, drejtues dhe, 21 vjeç, pasagjer.
Nga kontrolli i ushtruar ndaj shtetasit E. H., në çantën që mbante në sup, u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri pistoletë sëbashku me municion, të cilën dyshohet se e mbante pa leje.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. H., 21 vjeç, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, si dhe i shtetasit E. N., 31 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Lini një Përgjigje