Qeveria e Gjeorgjisë ka hapur për herë të parë për publikun një bodrum historik vere në kryeqytetin Tbilisi, ku ruhen rreth 40 mijë shishe të rralla franceze dhe gjeorgjiane që dikur i përkisnin Josef Stalinit, liderit sovjetik me origjinë gjeorgjiane.
Koleksioni, i cili përfshin edhe verëra të shekullit XIX, u prezantua këtë javë pas dekadash të tëra larg syrit të publikut. Sipas autoriteteve, një pjesë e verërave janë sekuestruar nga familja perandorake Romanov pas Revolucionit Rus, duke i shtuar vlerën historike koleksionit.

Autoritetet gjeorgjiane kanë njoftuar se planifikojnë ta nxjerrin koleksionin në ankand. Të ardhurat e siguruara do të përdoren për krijimin e një shkolle ndërkombëtare të verës në Gjeorgji, me synimin për të forcuar zhvillimin e sektorit dhe promovimin e traditës së prodhimit të verës në vend.
Përfaqësues të industrisë së verës vlerësojnë se nisma mund të ndihmojë Gjeorgjinë të konsolidojë më tej reputacionin e saj si një nga vendet me traditën më të lashtë të prodhimit të verës në botë, një histori që sipas ekspertëve shtrihet rreth 8 mijë vjet.
Ndërkohë, koleksionistë ndërkombëtarë që kanë pasur mundësinë ta shohin nga afër koleksionin, e kanë cilësuar atë si një zbulim të rrallë me rëndësi të veçantë historike dhe kulturore.
Lini një Përgjigje