Një gjyqtare federale në SHBA është përfshirë në një skandal të pazakontë, pasi një raport disiplinor zbuloi se ajo kryente marrëdhënie seksuale në zyrën e saj gjatë orarit të punës me një zyrtar të lartë policie.
Sipas Bloomberg Law, bëhet fjalë për Eleanor Ross, 58 vjeçe, gjyqtare e Gjykatës Federale të Distriktit Verior të Georgia-s, me seli në Atlanta.
Raporti i komisionit të etikës gjyqësore nuk e përmendte fillimisht emrin e saj, por mediat amerikane konfirmuan identitetin e gjyqtares, e cila ishte emëruar nga ish-presidenti Barack Obama dhe ishte konfirmuar nga Senati në vitin 2014.
Sipas dokumentit disiplinor, Ross zhvillonte marrëdhënie intime “në zyrën e saj dhe gjatë orarit të punës”, duke treguar “mungesë serioze gjykimi” gjatë një lidhjeje dyvjeçare mes viteve 2023 dhe 2025 me një komandant policie.
Punonjësit e gjykatës kishin bërë ankesa të vazhdueshme, duke raportuar se dëgjonin “zhurma të pazakonta erotike” që vinin nga zyra e gjyqtares.
Raporti thekson se situata krijoi një “ambient pune jashtëzakonisht të pakëndshëm dhe shqetësues” për sekretarët dhe stafin administrativ të gjykatës.
Komisioni ngriti gjithashtu shqetësime për konflikt interesi, për shkak të marrëdhënies së saj me një drejtues policie, identiteti i të cilit nuk është bërë publik.
Para emërimit si gjyqtare federale, Eleanor Ross kishte shërbyer si prokurore federale dhe si gjyqtare në sistemin shtetëror të Georgia-s.
Ajo ishte gjithashtu gjyqtarja që drejtoi procesin e vitit 2022 ndaj yllit të reality show-ve Todd Chrisley, i cili u shpall fajtor për mashtrim bankar, evazion fiskal dhe mashtrim financiar. Ross e dënoi atë me 12 vite burg federal, por më vonë Chrisley u fal nga Donald Trump.
Pas publikimit të skandalit, Chrisley reagoi në rrjetet sociale duke sulmuar ashpër gjyqtaren.
“Kjo gjyqtare e korruptuar, që nuk mund të përqendrohej në çështjen tonë sepse ishte shumë e zënë në zyrë me demokratët, duhet të shkarkohet”, shkroi ai në Instagram.
Raporti disiplinor përfundoi me një qortim zyrtar ndaj gjyqtares, ndërsa rasti ka shkaktuar debat të gjerë në SHBA për etikën dhe sjelljen e zyrtarëve të sistemit të drejtësisë.
Lini një Përgjigje