
Gjykata e Lartë e Italisë ka vendosur në favor të një hoteli me pesë yje në Dolomite, duke konfirmuar se refuzimi për t’i shërbyer ujë çezme një klienteje nuk përbën shkelje të të drejtave të konsumatorit.
Ngjarja daton në sezonin e skive të vitit 2019, në restorantin e hotelit “Sassongher” në Corvara, ku një turiste kërkoi ujë çezme gjatë vaktit. Kamerieri i ofroi vetëm ujë mineral në shishe me çmim 10 euro, çka çoi më pas në një përplasje ligjore.
Turistja kërkoi 2700 euro dëmshpërblim për shqetësim emocional dhe dëme ekonomike, duke argumentuar se “uji është një burim natyror dhe një e drejtë universale e njeriut”. Ajo pretendoi gjithashtu se ofrimi i ujit të çezmës duhej të konsiderohej pjesë e shërbimit bazë të hotelit, njësoj si “çarçafët në krevat” apo “sapuni në banjë”.
Megjithatë, Gjykata e Lartë italiane rrëzoi padinë, duke theksuar se legjislacioni italian nuk i detyron restorantet apo hotelet të shërbejnë ujë çezme për klientët.
Avokati i hotelit, Silvio Belardi, deklaroi për gazetën Corriere Alto Adige se vendimi i gjykatës konfirmon qartë se “nuk ekziston asnjë detyrim për të ofruar ujë çezme”.
Sipas mediave italiane, çështja ishte shqyrtuar fillimisht në një gjykatë më të ulët në Romë, përpara se të përfundonte në Gjykatën e Lartë.
Lini një Përgjigje