Suplementet e kolagjenit janë kthyer vitet e fundit në një nga produktet më të promovuara në industrinë e mirëqenies dhe bukurisë, sidomos në rrjetet sociale, ku shpesh reklamohen si “sekreti” për një pamje më të re dhe lëkurë pa rrudha.
Megjithatë, mjeku britanik Amir Khan paralajmëron se shumë prej pretendimeve që lidhen me efektet e kolagjenit janë të ekzagjeruara dhe nuk mbështeten plotësisht nga shkenca.
Duke folur në emisionin Good Morning Britain, Dr. Khan shpjegoi se kolagjeni është një proteinë që trupi e prodhon natyrshëm dhe që përbën një pjesë të rëndësishme të strukturës së lëkurës, kockave, flokëve dhe ligamenteve.
“Me kalimin e viteve, prodhimi i kolagjenit bie gradualisht dhe pikërisht këtë fakt e përdor industria e wellness-it për të promovuar suplementet”, tha ai.
Sipas mjekut, problemi kryesor qëndron te mënyra se si trupi e përpunon kolagjenin e marrë përmes suplementeve.
“Kur merrni kolagjen si suplement, ai zbërthehet në aminoacide në zorrë. Më pas organizmi i përdor ato aty ku ka më shumë nevojë, për hormone, enzima apo procese të tjera jetike. Nuk ka garanci që ato do të shkojnë drejtpërdrejt te lëkura apo flokët”, u shpreh Dr. Khan.
Ai iu referua edhe një studimi të vitit 2025, i cili analizoi 23 prova klinike mbi efektet e kolagjenit. Fillimisht, rezultatet sugjeronin përmirësim të hidratimit dhe elasticitetit të lëkurës. Por, pasi nga analiza u hoqën studimet e financuara nga industria e kolagjenit, provat për përfitime të dukshme në lëkurë, flokë dhe thonj rezultuan të paqarta.
Megjithatë, Dr. Khan theksoi se kolagjeni mund të ketë ndikim pozitiv tek personat që vuajnë nga artriti ose problemet me kyçet.
“Kolagjeni mund të ndihmojë në uljen e dhimbjeve dhe përmirësimin e funksionit të kyçeve tek njerëzit me artrit, por jo domosdoshmërisht tek ata që kanë kyçe të shëndetshme”, tha ai.
Mjeku britanik kritikoi gjithashtu varësinë në rritje nga suplementet, duke theksuar se shumë persona po neglizhojnë ushqimin cilësor.
“Njerëzit shpesh mendojnë se një suplement do të zgjidhë gjithçka, ndërsa harrojnë rëndësinë e ushqimeve të plota dhe të pasura me lëndë ushqyese”, deklaroi ai.
Sa i përket mënyrave natyrale për të nxitur prodhimin e kolagjenit, Dr. Khan përmendi ushqime si lëngu i kockave, xhelatina dhe lëkura e pulës, ndërsa për vegjetarianët rekomandoi burime bimore proteinash si thjerrëzat dhe fasulet, të kombinuara me vitaminë C, zink dhe bakër.
Në fund, ai dha një mesazh të qartë për konsumatorët:
“Kolagjeni nuk është një kurë mrekullibërëse. Mund të ofrojë përmirësime të vogla tek disa njerëz, por nuk do të fshijë rrudhat dhe as nuk do ta transformojë plotësisht pamjen tuaj”, përfundoi Dr. Khan.
Lini një Përgjigje