
WhatsApp ka prezantuar një funksion të ri që lejon biseda private me chatbot-in e tij me inteligjencë artificiale, në një modalitet të quajtur “incognito”, ku as kompania nuk do të ketë akses në përmbajtjen e komunikimit.
Sipas njoftimit, kur ky modalitet aktivizohet, as pyetjet e përdoruesit dhe as përgjigjet e inteligjencës artificiale nuk do të ruhen apo monitorohen, ndërsa historiku i bisedës nuk do të jetë i disponueshëm pas përfundimit të sesionit.
Kreu i WhatsApp, Will Cathcart, tha se përdoruesit kanë kërkuar më shumë privatësi në komunikimet me AI, veçanërisht për tema të ndjeshme si shëndeti, marrëdhëniet dhe financat.
“Kemi dëgjuar nga shumë njerëz se ndiejnë shqetësim për ndarjen e informacionit personal me kompaninë, por gjithsesi duan përgjigje,” – u shpreh Cathcart.
Megjithatë, ekspertë të sigurisë kibernetike kanë ngritur shqetësime për mungesën e mundshme të llogaridhënies, duke argumentuar se mungesa e aksesit në historikun e bisedave mund të krijojë situata problematike në rast abuzimesh apo incidentesh.
Meta Platforms, pronarja e WhatsApp, ka përfshirë tashmë Meta AI në aplikacion, një funksion që ka ngjallur debat që prej lançimit, pasi disa përdorues kanë shprehur pakënaqësi për mungesën e opsionit për ta çaktivizuar plotësisht.
Në maj të vitit 2025, CEO i Meta, Mark Zuckerberg, deklaroi se Meta AI kishte arritur mbi një miliard përdorues në të gjitha platformat e kompanisë.
Funksioni i ri pritet të sjellë një nivel më të lartë privatësie, por gjithashtu ka hapur debat të ri mbi balancën mes sigurisë dhe transparencës në përdorimin e inteligjencës artificiale.
Lini një Përgjigje