Thashethemet për një rikthim të mundshëm të Luana Vjollcës në Top Channel, nisën të qarkullojnë me shpejtësi. Moderatorja promovoi brandin e saj të veshjeve gjatë prime-it të Big Brother VIP Albania, ku moderatorët dhe pjesëmarrësit i dërguan përshëndetje publike. Ledion Liço tha:
“Përshëndesim Luana Vjollcën nga studio e Big Brother dhe i themi që e duam shumë.”
Luana e ripostoi momentin në rrjetet sociale, duke shkruar:
“Edhe unë ju dua shumë,” dhe duke tag-uar Ledionin, Sarën dhe Lori Hoxhën. Një përshëndetje miqësore? Sigurisht. Por gjithashtu një sinjal se marrëdhëniet mes saj dhe Top Channel duket se janë të ngrohta.
Sigurisht që, “armiku i armikut tim është miku im”, dhe në këtë rast “armiku i përbashkët” është Arbana Osmani.
Për Luanën është ‘armike’, sepse ‘i mori’ Big Brother-in dhe për ironi të fatit ata që i besuan produksionin Arbanës, tani po miklojnë Luanën.
Luana u largua nga Top Channel në vitin 2021 pas 15 vitesh në atë ekran, duke e cilësuar gjithmonë televizionin si “shtëpinë e saj” dhe një vend ku u rrit profesionalisht. Pas largimit, ajo ka prezantuar ZemërLuana dhe Love Island në TV Klan, ndërsa së fundmi moderoi Ferma VIP në Vizion Plus. Por duhet thënë që nuk pati të njëjtin sukses.
Megjithatë, ky vit sjell një detaj të ri: “Ferma VIP” do të prezantohet nga Arbana Osmani, gjë që lë hapësirë për të spekuluar për hapin e radhës të Luanës.
Promovimi i brandit në Big Brother VIP, përshëndetja miqësore nga Ledioni, ripostimi i Luanës dhe deklarata për rikthimin në ekran, të gjitha bashkë, krijojnë një tablo interesante që ngre dyshime: a po përgatitet rikthimi i saj në Top Channel?
Për momentin, gjithçka mbetet midis rreshtave dhe në spekulime brenda televizionit. Por një gjë është e qartë: ku ka zë, nuk është pa gjë.
Lini një Përgjigje