
Valmir Elezi, zëdhënësi i KQZ në Kosovë, tha se me shumë gjasë rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit do të dalë brenda mesnatës.
“Besojmë se numërimi do të jetë më i shpejtë dhe do të ndikojë në shfaqjen e rezultateve. Shpresojmë që ato të jenë të gatshme në një kohë të shkurtër, por kjo do të varet nga ecuria e procesit të votimit. Megjithatë, nuk dua të bëhemi robër të orarëve, pasi kemi të bëjmë me 2533 vend votime dhe duhet të presim ecurinë e procesit zgjedhor dhe pastaj numërimin”, tha Elezi.
Ai theksoi se ky ndryshim do ta bëjë procesin më të shpejtë dhe më efikas, duke ndikuar drejtpërdrejt në publikimin e rezultateve.
“Ndryshe nga proceset e kaluara zgjedhore, ka ndryshuar mënyra e numërimit të fletëvotimeve. Tani, numërimi do të bëhet vetëm për ato fletëvotime ku qytetarët kanë zgjedhur subjektet politike, ndërsa në pjesën e djathtë, ku qytetarët kanë përzgjedhur kandidatët për deputet, numërimi do të bëhet nga dita e hënë në qendrat komunale,” shpjegoi Elezi për Euronews Albania.
Përveç kësaj, Elezi njoftoi se të dhënat e numërimit do të dërgohen në një platformë elektronike, ku qytetarët dhe mediat do të kenë mundësi të ndjekin rezultatet në kohë reale.
“Do të kemi një platformë elektronike, një faqe të veçantë ku do të publikojmë rezultatet në kohë reale dhe aty mund t’i marrin edhe mediat,” përfundoi ai.
Lini një Përgjigje