TAGS-AT E JAVËS

Kosova23 Prill 2023, 12:40

Zgjedhjet lokale në veri të Kosovës, pjesëmarrje e ulët në votime; Lista Serbe bojkoton procesin

Shkruar nga Pamfleti
Zgjedhjet lokale në veri të Kosovës, pjesëmarrje e ulët
Pamje nga qendrat e votimit në veri të Kosovës

Nën frikën e një shpërthimi të mundshëm, banorët e 4 komunave në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviç, i drejtohen sot kutive të votimit në zgjedhjet e parakohshme lokale.

Të parashikuara të mbaheshin më 18 dhjetor, pas tërheqjes së përfaqësuesve serbë nga institucionet, këto zgjedhje, falë ndërhyrjes dhe të komunitetit ndërkombëtar, u shtynë për në 23 prill.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, nuk merr pjesë në zgjedhje dhe u bëri thirrje qytetarëve serbë që ta bojkotojnë procesin. Thirrje të ngjashme bëri edhe Beogradi zyrtar.

Ndërkohë nga raportimi i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë në orët e para të paradites pjesëmarrja në votime ka qenë e ulët.

Dderi në orën 11:00, pjesëmarrja e votuesve në zgjedhjet e parakohshme në komunat veriore ka qenë si më poshtë: 

Leposaviç: 28 votues, apo 0.21%

Zubin Potok: 65 votues, apo 1%

Zveçan: 29 votues, apo 0.41%

Mitrovicë e Veriut: 191 votues, apo 1.05%

Të drejtë vote, sipas KQZ-së, kanë 45.095 qytetarë.

Ndërsa ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, tha për Radion Evropa e Lirë se, pavarësisht numrit të vogël të votuesve në veri të Kosovës, kryetarët e komunave atje do të zgjidhen, nëse procesi është i rregullt.

“Përsëritje [të zgjedhjeve] nuk do të ketë, veç nëse dëmtohet procesi, atëherë po. Por, në rrethana të rregullta, në rrethana kur qytetarët dalin e votojnë dhe kryejnë detyrën e tyre, mbyllen vendvotimet, numërohen votat... Përsëritje nuk do të ketë.”, tha Daka.

Partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, e cila vetë nuk merr pjesë në zgjedhje, ka bërë thirrje për bojkotimin e procesit. Në këtë qëndrim, ajo ka pasur edhe mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Sipas saj, zgjedhjet janë organizuar dhe po mbahen sipas të gjitha rregullave ligjore.

Komunat në veri mbetën pa kryetarë nga Nëntori i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit serbë në atë zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentja Vjosa Osmani, u kanë bërë thirrje qytetarëve me të drejtë vote në veri, të votojnë në zgjedhjet e 23 prillit. Ata kanë akuzuar Beogradin për frikësimin e qytetarëve në këtë zonë.

“Dua t’ju siguroj se të gjitha institucionet e Kosovës po bëjnë gjithçka për të siguruar që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme dhe që siguria juaj të jetë e garantuar”, ka thënë Osmani.

Ndërsa nga ana tjetër Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka vlerësuar se në zgjedhje nuk do të marrin pjesë më shumë se “100 serbë”.

Ai ka thënë se askush nuk do të dalë “në kontejnerët e policisë” për të votuar.

Komuniteti ndërkombëtar ka shprehur keqardhje që partia udhëheqëse e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, nuk merr pjesë në zgjedhje dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të ushtrojnë përmbajtje.

zgjedhjet lokale në veri të kosovës lista serbe

Lini një Përgjigje