
Kosova zhvillon këtë të diel zgjedhjet lokale në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviç.
Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 sipas orarit zyrtar, nën masa të rrepta sigurie.
Krahas qendrave të zakonshme, që janë kryesisht shkolla, votuesit në fshatrat e banuara me shqiptarë, do të votojnë edhe në 13 kontejnerë të vendosura në formën e qendrave alternative nëpër rrugë në Leposaviç, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut.
Janë mbi 18 mijë qytetarë që kanë të drejtë vote në të gjitha qendrat e votimit.
Radio Evropa e Lirë raporton për pjesëmarrje të ulët në votime. Në një qendër votimi në Zveçan ka votuar deri më tani kandidatja për kryetare e kësaj komune, Sllagjana Pantoviç. E njëjta situatë raportohet të jetë edhe në komunat e tjera, në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok dhe Leposaviç. Sipas korrespondentëve të REL, votues ka vetëm në ato lagje ku jeton komuniteti shqiptar.
Në garë janë dhjetë kandidatë, prej të cilëve vetëm një nga komuniteti serb. Ajo është Sllagjana Pantoviç, kandidate e pavarur për kryetare të Komunës së Zveçanit.
Rregullat janë më të rrepta këto zgjedhje sa i përket sigurisë. Të gjitha qendrat e votimit po mbikëqyren nga policia e Kosovës. Në zonën e Mitrovicës policia është vendosur pranë qendrës alternative te “Tre Rrokaqiejt”. Deri më tani situata është e qetë.
Serbët kanë paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë në votime, madje vetë presidenti serb Aleksander Vuçiç u ka bërë thirrje që t’i bojkotojnë këto zgjedhje.
Lini një Përgjigje