TAGS-AT E JAVËS

Kosova23 Prill 2023, 08:40

Zgjedhjet në veri të Kosovës, hapen të gjitha qendrat e votimit nën mbikqyrje të rreptë policore

Shkruar nga Pamfleti

Zgjedhjet në veri të Kosovës, hapen të gjitha qendrat e

Kosova zhvillon ditën e sotme zgjedhjet lokale në katër komunat me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviç.

KQZ-ja ka vendosur kontejnerë nëpër rrugët kryesore në Veri, që do të shërbejnë si qendra votimi. Sakaq, është hapur qendra e rregullt e votimit në Suhodoll të Mitrovicës së Veriut.

Qendrat e rregullta janë të hapura në vendet e banuara me shqiptarë. Janë mbi 18 mijë qytetarë që kanë të drejtë vote në të gjitha qendrat e votimit në katër komunat veriore, Zveçan, Leposaviç, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut.

Rregullat janë më të rrepta këto zgjedhje sa i përket sigurisë. Të gjitha qendrat e votimit po mbikëqyren nga policia e Kosovës. Deri më tani situata është e qetë.

Në garë janë dhjetë kandidatë, prej të cilëve vetëm një nga komuniteti serb. Ajo është Sllagjana Pantoviç, kandidate e pavarur për kryetare të Komunës së Zveçanit.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, nuk merr pjesë në zgjedhje dhe u bëri thirrje qytetarëve serbë që ta bojkotojnë procesin. Thirrje të ngjashme bëri edhe Beogradi zyrtar.

Komunat në veri mbetën pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit serbë në atë zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentja Vjosa Osmani, u kanë bërë thirrje qytetarëve me të drejtë vote në veri, të votojnë në zgjedhjet e 23 prillit. Ata kanë akuzuar Beogradin për frikësimin e qytetarëve në këtë zonë.

“Dua t’ju siguroj se të gjitha institucionet e Kosovës po bëjnë gjithçka për të siguruar që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme dhe që siguria juaj të jetë e garantuar”, ka thënë Osmani.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka vlerësuar se në zgjedhje nuk do të marrin pjesë më shumë se “100 serbë”.

Ai ka thënë se askush nuk do të dalë “në kontejnerët e policisë” për të votuar.

Komuniteti ndërkombëtar ka shprehur keqardhje që partia udhëheqëse e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, nuk merr pjesë në zgjedhje dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të ushtrojnë përmbajtje.

 

zgjedhjet në veri të kosovës hapen të gjitha qendrat e votimit

Lini një Përgjigje