A do të rikthehet Vjosa Osmani në politikë?
Kriza politike në Kosovë nuk do të kalojë lehtë. Që në shpalljen e pavarësisë, zgjedhjet e parakohshme kanë qenë tepër të zakonshme dhe vetëm këtë mandat Albin Kurti arriti ta mbyllë në 4 vite.
Mirëpo duket se kohët e vjetra po rikthehen. Pas përplasjeve për konstituimin e Kuvendit, duket se tani fillon kriza më e madhe. Albin Kurit nuk ja doli dot të krijojë qeverinë e re dhe po ashtu edhe opozita duket shumë e vështirë të krijojë shumicën. Sinjalet janë se do të ketë zgjedhje të reja muajin që vjen. Të paktën kjo u paralajmërua sot nga Albin Kurti.
“Nga ajo që dëgjuam dje, duket se të gjithë po përgatiten për zgjedhje të reja dhe për balotazhin në zgjedhjet lokale”, tha Kurti.
Por kryeministri paralajmëroi një krizë të re në pranverë. Në prill duhet të votohet presidenti i ri dhe Kurti paralajmëroi se mund të mos ketë konsensus, duke e çuar vendin sërish në zgjedhje.
“Sepse, kur nuk arritëm t’i bëjmë 61 deputetë për një qeveri të re, atëherë është vështirë e imagjinueshme që do t’i bëjmë kollaj 80 deputetë në pranverën e vitit të ardhshëm dhe i kemi edhe katër muaj deri në zgjedhjen e presidentit”, theksoi ai.
Presidenti zgjidhet me dy të tretat e votave të 120 deputetëve sa i ka gjithsej Kuvendi. Në rast se kandidati nuk i merr këto vota në dy rundet e para, në rundin e tretë zgjidhet me votat e gjysmës së deputetëve.
Në rast se nuk zgjidhet as në rundin e tretë, atëherë Kuvendi shpërndahet dhe shpallen zgjedhjet e reja.
Sinjalet e Kurtit janë se edhe pas zgjedhjeve të parakohshme në dimër, mund të mos ketë një mazhorancë solide duke krijuar dhe vështirësi në zgjedhjen e presidentit. Pra duket se ai kërkon që të rrijë në detyrë deri në prill dhe pastaj të kemi zgjedhje, në mënyrë që të mos ketë dy të tilla.
Por nëse Kosova shkon në zgjedhje në pranverë, ka një element të ri: Vjosa Osmani.
Kjo e fundit e dorëzon detyrën dhe ka të gjithë mundësitë të kthehet në politikë. Në vitin 2021 ajo garoi në lista e LVV përmes nismës “Guxo”. Osmani doli deputetja më e votuar me mbi 200 mijë vota, gati 20 mijë më shumë se Albin Kurti. Ka pasur shumë zëra se ajo mund të rikthehet në politikë dhe madje raportet e saj me Kurtin kojet e fundit nuk kanë qenë fort të mira. Të presim dhe të shohim, por sinjalet janë se kaosi politik në Kosovë sapo ka filluar. /Pamfleti
Lini një Përgjigje