
Pas 6 muajsh zvarritje për konstituimin e Kuvendit, Kosova mbetet në vend numëro dhe ende nuk ka një qeveri...
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar për herë të parë pas seancës së sotme ku propozi kabinetin e ri qeveritar dhe nuk arriti të marrë përkrahjen e mjaftueshme nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Në një reagim në rrjetin social Facebook, Kurti deklaroi se do të vazhdojnë të mbesin qeveri në detyrë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare, duke nënkuptuar se tashmë rruga e vetme për zgjidhjen e këtij ngërçi janë zgjedhjet e parakohshme. Duke vazhduar më tej në postimin e tij, Kurti nuk la pa falenderuar të gjithë deputetët të cilët e mbështetën ditën e sotme.
“Falënderoj të gjithë deputetët që mbështetën propozimin për kabinetin e ri qeveritar dhe qytetarët për përkrahjen. Meqë 56 vota ishin PËR, 52 KUNDËR dhe 4 ABSTENIME, nuk mund të fillojë ende mandati ynë i ri. Ndërkohë vazhdojmë si qeveri në detyrë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare”, ka shkruar Kurti në rrjetin social.
Në pa mundësi për të marrë 61 votat e nevojshme për krijimin e qeverisë së re nga Kurti, procesi për formimin e qeverisë kalon tani tek presidentja Vjosa Osmani. Tani më Kryetarja e Shtetit, do të duhet të ftojë sërish partitë politike për konsultime brenda afatit kushtetues.
Osmani do të duhet t’ia japë madatin për formimin e qeverisë së re partisë së dytë më të votuar në vend, e cila brenda afateve të përcaktuara nga Kushtetuta e Kosovës do të duhet të formojë një koalicion qeverisës, në të kundërt vendi do të duhet të shkojë sërish në zgjedhje brenda jo më pak se 40 ditëve.
Kujtojmë se në seancën e sotme, propozimi për kabinetin “Kurti 3” mori vetëm 56 vota pro, ndërsa 52 deputetë votuan kundër dhe 4 abstenuan, duke e bërë të pamundur formimin e qeverisë së re.
Në këto kushte, pas 6 muajsh zvarritje për konstituimin e Kuvendit, Kosova mbetet në vend numëro dhe ende nuk ka një qeveri. Ky ngërç politik në Kosovë vjen në kohën më të keqe të mundshme sa i takon arenës ndërkombëtare e cila ndodhet në çaste trazie./Pamfleti
Lini një Përgjigje