TAGS-AT E JAVËS

Kosova22 Shkurt 2026, 21:54

Zgjedhja e Presidentit, Kurti nis procesin e konsultimeve me partitë opozitare!

Shkruar nga Pamfleti

Zgjedhja e Presidentit, Kurti nis procesin e konsultimeve me partitë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur takimet me krerët e partive politike parlamentare, në funksion të konsultimeve për zgjedhjen e Presidentit të vendit. Sipas afateve kushtetuese, për këtë proces kanë mbetur edhe 10 ditë.

Gjatë ditës së diel, Kurti u takua me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe deputetin e Kuvendit, Bedri Hamza. Takimi u zhvillua në kuadër të përpjekjeve për të siguruar konsensusin e nevojshëm politik për zgjedhjen e kreut të shtetit.

Në fokus të diskutimeve, sipas njoftimeve, kanë qenë zhvillimet politike në vend si dhe nevoja për hapjen e një kapitulli të ri komunikimi dhe dialogu konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës. Palët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërpartiak në funksion të forcimit të pluralizmit demokratik.

Zgjedhja e Presidentit kërkon mbështetjen e të paktën dy të tretave të deputetëve të Kuvendit në raundet e para të votimit, çka e bën të domosdoshëm koordinimin mes shumicës dhe opozitës.

Ndërkohë, është bërë e ditur se Kryeministri Kurti do të zhvillojë të hënën një takim edhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, në kuadër të vazhdimit të konsultimeve politike.

kurti presidentit

Lini një Përgjigje