TAGS-AT E JAVËS

Kosova21 Shkurt 2026, 09:25

Takimi me Rubion, reagon DASH: Osmani partnere e dedikuar, presim të bashkëpunojmë me qeverinë e re

Shkruar nga Pamfleti
Takimi me Rubion, reagon DASH: Osmani partnere e dedikuar, presim të
Vjosa Osmani-Rubio

DASH vlerësoi rolin e Kosovës si anëtare themeluese e Bordit të Paqes dhe kontributin me burime në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar përmes një komunikate zyrtare pas takimit mes sekretarit të Shtetit, Marco Rubio dhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani duke vlerësuar rolin e Kosovës në rajon dhe kontributin e saj në nisma ndërkombëtare.

Në reagim, DASH falenderon Kosovën për përkushtimin si partnere në Ballkanin Perëndimor, si dhe për angazhimin në struktura ndërkombëtare të sigurisë. 

“Sekretari i Shtetit Marco Rubio u takua sot me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu, një partnere e përkushtuar në Ballkanin Perëndimor. Sekretari falenderoi Presidenten Osmani dhe popullin e Kosovës për të qenë anëtare themeluese e Bordit të Paqes dhe për kontributin me burime në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza. Shtetet e Bashkuara mezi presin të punojnë me qeverinë e re të Kosovës për të çuar përpara axhendën tonë të përbashkët të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit ekonomik rajonal”, thuhet në komunikatë.

Në reagim theksohet se Shtetet e Bashkuara mezi presin të punojnë me qeverinë e re të Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti, për të çuar përpara axhendën e përbashkët të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit ekonomik rajonal.

Gjatë takimit me kryediplomatin amerikan, Marco Rubio, në Departamentin Amerikan të Shtetit, Osmani tha se me sekretarin amerikan të Shtetit ka diskutuar për mundësitë e forcimit të “aleancës sonë si dhe si dhe hapat konkretë në këtë drejtim që kanë rëndësi jetike për popullin e Kosovës”.

“Në veçanti, e falenderova për përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes, për mbështetjen vendimtare amerikane për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, si dhe për prezencën ushtarake amerikane në Kosovë si prezencë kyç për paqen e stabilitetin në rajon. Diskutuam për rëndësinë e madhe të anëtarësimit të Kosovës në NATO, si dhe për hapjen e kapitujve të ri të bashkëpunimit në ekonomi e mbrojtje, si pjesë e partneritetit tonë strategjik”, tha Osmani përmes një postimi në Facebook.

Takimi në DASH u zhvillua në 18-vjetorin e lidhjes së raporteve diplomatike mes dy shteteve.

Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008 dhe Shtetet e Bashkuara ishin ndër vendet e para që e njohën. Prishtina e konsideron si qenësore aleancën me SHBA-në, vend që ka kontribuar në pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës. SHBA-ja po ashtu ofron siguri në Kosovë, pasi ka afër 600 trupa paqeruajtëse, në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Sipas një njoftimi të publikuar nga Presidenca e Kosovës, prania ushtarake amerikane në Kosovë ka "rëndësi strategjike".

Po ashtu, në takimin në DASH, presidentja Osmani ka biseduar me Rubion edhe për Dialogun dypalësh Strategjik. Sipas saj, është e rëndësishme që të avancohet ky dialog, si "mekanizëm për koordinimin e prioriteteve të përbashkëta dhe hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në fusha të ndryshme".

 

Lini një Përgjigje