Nika u shpall fajtor për ngjarjen e ndodhur në gusht 2023 në një hotel në Fushë-Kosovë
Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 18 vjet burgim Endrit Nikën për vrasjen e partneres së tij, shtetase argjentinase. Trupi gjykues shpalli aktgjykimin të enjten në praninë e të pandehurit, avokatit të tij dhe përfaqësuesve të palës së dëmtuar.
Nika ishte deklaruar i pafajshëm në maj të vitit 2025, pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria në shkurt të po atij viti.
Sipas aktakuzës, ngjarja ndodhi më 1 gusht 2023 në një hotel në Fushë-Kosovë. Prokuroria paraqiti se pas një mosmarrëveshjeje, i pandehuri e goditi partneren dhe tentoi ta shkelte me veturë në parkingun e hotelit. Më pas, brenda në dhomë, ai vijoi përleshjen dhe e shtyu viktimën drejt qoshes së dhomës, duke ia pamundësuar largimin.
Sipas përshkrimit në aktakuzë, Nika e nxori viktimën në kornizën e dritares dhe e hodhi nga dritarja e katit të gjashtë. Si pasojë e rrëzimit, ajo humbi jetën.
Pas shpalljes së vendimit, Rrjeti i Grave të Kosovës reagoi duke e cilësuar dënimin si jo proporcional me peshën e krimit. Organizata e konsideroi rastin si vrasje me motiv gjinor dhe kërkoi që gjykatat të trajtojnë raste të tilla me standarde më të larta ndëshkimi.
Sipas të dhënave të publikuara ndër vite, në Kosovë nga viti 2010 janë vrarë rreth 60 gra. Organizatat për të drejtat e njeriut kanë ngritur shqetësime për mbrojtjen institucionale të grave që raportojnë dhunë, ndërsa në shumë raste autorë të vrasjeve rezultojnë persona nga rrethi familjar.
Vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë mbetet i ankimueshëm në instancat më të larta.
Lini një Përgjigje