Rexhep Selimi deklaroi në gjykatën në Hagë se historia e Kosovës nuk mund të përcaktohet në një sallë gjyqi. Ai e lidhi qëndrimin e tij me zhvillimet e luftës në Kosovë dhe me veprimet e Serbisë ndaj shqiptarëve gjatë asaj periudhe.
Selimi tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ishte parti politike, por strukturë ushtarake. Ai shtoi se, edhe nëse lufta do të kishte vazhduar pas vitit 1999, do të kishte mbetur pjesë e saj. Sipas tij, ndërhyrja e NATO-s dhe mbështetja e vendeve perëndimore lidhej me rrethanat e asaj kohe.
Duke folur për kërkesën e Prokurorisë për dënime të rënda, ai deklaroi se ato synojnë t’ua pamundësojnë kthimin në Kosovë. Selimi theksoi se koha e kthimit të tij varet nga vendimi i trupit gjykues, por shtoi se do të rikthehet në një Kosovë të lirë.
Ai kërkoi që vendimi ndaj tij dhe ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së të mbështetet në prova të administruara dhe jo në pretendime. Sipas tij, drejtësia duhet të garantojë që viktimat të mos dëmtohen nga vendime që nuk bazohen në të vërtetën.
Në përfundim, Selimi falënderoi ekipin e mbrojtjes dhe qytetarët që besojnë në pafajësinë e tij. Ai deklaroi se ndihet me fat që ka kontribuar për vendin e tij.
Procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së po vijon në Hagë.
Selimi: UÇK nuk ishte parti politike. Madje edhe nëse lufta në Kosovë nuk do të ndalje në Kosovë në ‘99 dhe do të vazhdonte deri sot, unë ende do të isha ushtari i atdheut tim nëse nuk do të isha vrarë deri më tani pasi gjasat ishin reale. Bëmë gjënë e duhur dhe sot do të bëj të njëjtën gjë. Prandaj NATO na mbështeti, dhe vendet tuaja. Prokuroria në dosjen e saj kërkon dënimin të rënda. Aq të gjata sa më thelb synojnë të na ndalojnë përgjithmonë kthimin në vendin tonë. Koha se kur do të kthehem në Kosovë është në dorën tuaj por prokuroria duhet të ishte kuptuar që kurdo që të kthehem, do të kthehem më Kosovën e lirë.
Gjatë luftës, ndodhin shumë gjëra, ka kaos, frikë, dhimbje të akumuluara ndër vite. Lufta lë gjithmonë pasoja dhe viktimat e saj. Viktimat kanë nevojë për drejtësi. Drejtësia që nuk mbështetet mbi të vërtetën i lëndon viktimat për herë të dytë. Vendimet të mbështeten në atë që është provuar, jo në atë që është pretenduar. Në fund, dua t’i falënderoj ekipet tona të mbrojtjes dhe ekipin tim, në mbrojtjen e së drejtës. Dua t’i falënderoj bashkëqytetarët tanë që besojnë te pafajësinë tonë. Mbështetja e tyre ka bërë që këto pranga të mos i ndjej si barrë. Thuhet se njerëzit që bëjnë diçka të mirë për veten e tyre, janë njerëz me fat dhe unë jam njëri prej tyre.
Lini një Përgjigje