Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, deklaroi në seancë se gjykata nuk duhet të shpallë fajësi mbi baza që, sipas tij, përbëhen nga prova të patestuara dhe thashetheme.
Ai theksoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka paraqitur asnjë provë që e lidh drejtpërdrejt Veselin me krimet e pretenduara në aktakuzë. Sipas Dixon, përpjekja e fundit e Prokurorisë për ta lidhur klientin e tij me pikat e akuzës nuk qëndron.
"Ata pretendojnë se ne nuk e kemi trajtuar themelin e akuzën e ZPS. Kjo është akuzë e rëndë sepse unë trajtova çdo pretendim të tyre për t’iu treguar se ishin të pabaza", tha Dixon.
Avokati kundërshtoi pretendimin e Prokurorisë se mbrojtja nuk ka trajtuar thelbin e çështjes. Ai deklaroi se ka analizuar çdo akuzë dhe ka argumentuar pse i konsideron të pabazuara.
Si shembull, Dixon përmendi një video të paraqitur nga Prokuroria, ku një dëshmitar shprehet se kishte dëgjuar nga persona të tjerë për përfshirjen e pretenduar të Veselit në krime.
“Ky është thashethem i pastër. Ky klip është i pavlerë”, tha ai, duke shtuar se nuk është provë dhe se mbrojtja nuk ka mundur ta marrë në pyetje këtë dëshmitar.
Lini një Përgjigje