Kadri Veseli ka mbajtur fjalimin e tij në seancën e fundit të deklaratave përmbyllëse në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke theksuar se gjykata duhet të mbrojë të vërtetën dhe pafajësinë.
Në fjalën e tij, Veseli u shpreh se në përmbyllje të procesit gjyqësor po adreson një çështje thelbësore, duke nënvizuar se paanësia dhe e vërteta janë trashëgimia që duhet të lërë pas kjo gjykatë.
Ai shtoi se iu bashkua përpjekjeve për lirinë e Kosovës me bindjen për të shërbyer që e vërteta të njihet nga të gjithë, duke theksuar se edhe në momentet më të vështira nuk e ka humbur besimin se liria dhe e drejta do të triumfojnë.
Sipas tij, populli i Kosovës kishte të drejtën e patjetërsueshme për të jetuar i lirë dhe me dinjitet, ndërsa theksoi se nuk ka besuar kurrë se dhuna, urrejtja apo hakmarrja mund të jenë rrugëzgjidhje.
“Në fund të gjykimit tim po ju drejtohem për të theksuar një pikë të vetme por të jashtëzakonshme prej rëndësie. Gjykata duhet me çdo kusht të mbrojë të vërtetën dhe paanësinë. Është trashëgimia që do të mbetet prej saj. Ky është shkaku pse iu bashkova grave e burrave që u rreshtuan për lirinë e Kosovës dhe i kam shërbyer vendit tim që të gjithë ta njohin të vërtetën. Në momentet më të errëta s’e humba kurrë besimin se liria dhe e drejta do të triumfonin. Populli i Kosovës kishte të drejtën e patjetërsueshme për të jetuar me liri e dinjitet. Kam besuar se vuajtjet do të merrnin fund. Nuk kam besuar kurrë se dhuna, urrejtja e hakmarrja mund të jenë udhërrëfyes. Liria s’mund të arrihet përmes padrejtësisë. Paqja s’mund të ndërtohet mbi krim. Ky s’ka qenë parim teorik, por bindje morale që ka udhëhequr çdo veprim timin”, tha Veseli.
Lini një Përgjigje