Ish-presidenti uroi gjithashtu qytetarët e Kosovës me rastin e përvjetorit të shpalljes së Pavarësisë.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij nga Gjykata Speciale në Hagë, e cila ka kërkuar dënimin e tij me 45 vite burg.
Gjatë deklaratës së tij në sallën e gjyqit, Thaçi u shpreh se është i pafajshëm dhe se akuzat e ngritura nga prokuroria nuk qëndrojnë. Ai theksoi se përgjatë tre viteve proces gjyqësor janë dëgjuar si pretendimet e prokurorisë, ashtu edhe argumentet e mbrojtjes.
Në fjalën e tij, ish-presidenti uroi gjithashtu qytetarët e Kosovës me rastin e përvjetorit të shpalljes së Pavarësisë.
"Më 17 shkurt 2008 duke ndier rrahjet e zemrave të stërgjyshërve tanë shpallëm Kosovën shtet të pavarur e sovran. Dëshiroj që sot nga kjo sallë t’u përcjell urimet më të përzemërta të gjithë qytetarëve për këtë festë madhështore. Për gati 3 vjet keni dëgjuar akuzat e Prokurorisë dhe argumentet e mbrojtjes.
Keni parë faktet, keni dëgjuar të vërtetën. Është vetëm një: akuzat nuk qëndrojnë. Unë jam plotësisht i pafajshëm, por kam thënë dhe them me bindje të plotë: unë bashkëndiej dhe shpreh keqardhje për të gjitha viktimat në Kosovë pa marrë parasysh përkatësinë etnike”, tha Thaçi.
Kujtojmë se sot mbahet seanca e fundit e deklaratave përmbyllëse në rastin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale në Hagë.
Ish-eprorët e UÇK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.
Prokuroria ka kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe të dënohen me nga 45 vjet burgim secili, por ekipet mbrojtëse kanë argumentuar se nuk ka prova për krimet e pretenduara dhe kanë kërkuar lirimin e tyre.
Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.
Lini një Përgjigje