Në deklarimet përfundimtare, ish-krerët e UÇK-së mohojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe kërkojnë vendim të drejtë nga trupi gjykues
Katër ish-drejtuesit e UÇK-së paraqitën qëndrimet e tyre përfundimtare para trupit gjykues, duke kundërshtuar akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe duke kërkuar shpalljen e pafajësisë.
Hashim Thaçi deklaroi se në fillim të vitit 1998 ndodhej si student në Zvicër dhe se nuk kishte plan politik apo ushtarak. Sipas tij, përgjegjësinë për dhunën dhe masakrat në Kosovë e mbante regjimi i Sllobodan Millosheviqit.
Thaçi e përshkroi përfshirjen e tij në UÇK si vendim personal dhe moral. Ai theksoi se iu bashkua rezistencës në Kosovë dhe mohoi se kishte synuar marrjen e pushtetit. Sipas tij, UÇK-ja pranoi administrimin ndërkombëtar dhe çarmatimin pas luftës. Ai shtoi se pa ndërhyrjen e NATO-s nuk do të ishte arritur liria dhe pavarësia, duke vënë në dukje bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara dhe vendet perëndimore. Në përfundim, ai kërkoi nga trupi gjykues të mbështetet në prova dhe të shpallë pafajësinë e tij.
Kadri Veseli deklaroi se nuk ekziston asnjë provë që e lidh me krime. Ai tha se është i vetëdijshëm për çdo veprim të tij dhe se ka vepruar në përputhje me ligjin. Veseli kërkoi që Gjykata të ruajë paanësinë dhe të mbështetet në fakte. Ai theksoi se iu bashkua UÇK-së për lirinë e Kosovës dhe për të drejtën e qytetarëve për të jetuar me dinjitet. Sipas tij, drejtësia mund të vonohet, por nuk mund të mohohet.
Rexhep Selimi e cilësoi procesin 5-vjeçar si të rëndësishëm për të akuzuarit dhe për historinë e vendit. Ai deklaroi se akuzat ndaj tij dhe bashkëluftëtarëve janë të pabazuara. Selimi theksoi se kërkon nga Gjykata të vendosë mbi bazën e provave dhe të ushtrojë drejtësi të paanshme. Ai shtoi se UÇK-ja kishte si qëllim çlirimin e vendit dhe se angazhimi i tij lidhej me këtë objektiv.
Jakup Krasniqi e konsideroi të padrejtë paraburgimin e tij dhe të të tjerëve. Ai deklaroi se ka kaluar mbi pesë vite në paraburgim dhe se kjo periudhë i ka cenuar të drejtat themelore, përfshirë lirinë dhe jetën familjare. Krasniqi theksoi se angazhimi i tij publik gjatë luftës dëshmonte kundërshtimin ndaj politikave represive të Serbisë. Ai kërkoi që Gjykata të vlerësojë provat dhe të marrë një vendim të drejtë.
Në deklarimet e tyre, ata theksuan se regjimi i Millosheviqit mbante përgjegjësi për dhunën në Kosovë dhe se UÇK-ja veproi për mbrojtjen e popullsisë dhe për realizimin e lirisë. Secili prej tyre kërkoi nga trupi gjykues shpalljen e pafajësisë mbi bazën e provave të paraqitura gjatë procesit.
Thaçi: Fakti që jemi gjallë ishte fat
Hashim Thaçi e hapi fjalën duke uruar qytetarët e Kosovës për 18-vjetorin e Pavarësisë. Ai theksoi se liria dhe pavarësia nuk kanë qenë mjet për pushtet, por për dinjitet. Thaçi deklaroi se akuzat e Prokurorisë janë të pavërteta dhe sqaroi se në fillim të vitit 1998 ndodhej si student në Zvicër, pa plane politike apo ushtarake. Sipas tij, përgjegjës për dhunën dhe masakrat ishte regjimi i Millosheviqit.
Ai tha se vendimi për t’iu bashkuar rezistencës ishte personal dhe moral dhe shprehu krenari për rolin e tij në UÇK, duke theksuar se nuk do të pendohej për mbrojtjen e popullit të tij. Thaçi deklaroi se pa ndërhyrjen e NATO-s nuk do të kishte liri dhe pavarësi për Kosovën dhe vuri në dukje bashkëpunimin me SHBA-në dhe vendet perëndimore. Ai mohoi pretendimet se UÇK-ja synonte pushtetin, duke rikujtuar se pas luftës u pranua administrimi ndërkombëtar dhe çarmatimi.
“Gjatë luftës nuk e dija nëse do të isha gjallë, prej orës në orë, prej ditës në ditë. Nuk isha i sigurt nëse do të shihja familjen time, gruan dhe djalin e porsalindur, e lëre më të ëndërroja të ushtroja kontroll në Kosovë, në Kosovën e pushtuar plotësisht nga Millosheviqi”, tha ai.
“Fakti që jemi gjallë ishte fat,” deklaroi Thaçi, duke shtuar se masivizimi i UÇK-së erdhi si pasojë e politikave të Millosheviqit dhe jo për shkak të tij.
“Kjo prokurori më ndau shumë grada, më lavdëroi. Nuk isha unë që e transportova rezistencën nga Perëndimi në Kosovë. Iu bashkova rezistencës në Kosovë. Nuk isha unë arsyeja pse UÇK-ja po mobilizohej, por ishte Millosheviqi. Ish-sekretarja Madeleine Albright e ka thënë më mirë: ‘Millosheviqi me sjelljet e tij ndaj popullit të Kosovës është rekrutuesi më i madh i UÇK-së. UÇK nuk ishte ushtri e një shteti, ishte organizim popullor që po mbrohej nga një shtet agresor’,” tha Thaçi.
Në fund, ai deklaroi se serbët dhe komunitetet e tjera në Kosovë ishin gjithashtu viktima të regjimit të Millosheviqit dhe se kishte bërë thirrje për paqe dhe bashkëjetesë. Ai i kërkoi trupit gjykues të mbështetet në prova, duke theksuar se “i vetmi vendim i drejtë është pafajësia e plotë”.
Veseli: Drejtësia vonon, por s’mund të mohohet
Kadri Veseli deklaroi se drejtësia mund të vonohet, por nuk mund të mohohet. Ai theksoi se është i bindur në pafajësinë e tij dhe se di qartë çfarë ka bërë dhe çfarë nuk ka bërë, duke shtuar se çdo veprim i tij ka qenë njerëzor dhe ligjor. Sipas tij, pas dekadash hetimesh nuk ekziston asnjë provë që e lidh me krime.
Veseli kërkoi nga Gjykata të ruajë paanësinë dhe të veprojë me drejtësi, duke theksuar se ky është një obligim ligjor dhe moral. Ai rikujtoi se iu bashkua UÇK-së me synimin për lirinë e Kosovës dhe për të drejtën e qytetarëve për të jetuar me dinjitet. Ai foli edhe për përvojën e persekutimit dhe jetesës nën kërcënim, duke shtuar se pavarësisht vështirësive nuk e ka humbur besimin në drejtësi.
“Krijimi i kësaj gjykate dhe funksionimi i saj është rezultat i një debati të gjerë në vendin tim. Por ajo çka duhet të dalë nga kjo është paanshmëria. Unë qëndroj në këtë proces me bindje se e vërteta nuk ka arsye të ketë frikë nga drejtësia. Drejtësia mund të vonohet, por nuk mohohet kurrë. Kam vepruar me këtë bindje dhe unë e di kush jam, unë e di çfarë kam bërë dhe çfarë nuk kam bërë. Ndërgjegjja ime është e pastër,” tha ai.
Selimi: Akuzat, të pabaza dhe të padrejta
Rexhep Selimi deklaroi se akuzat ndaj tij dhe bashkëluftëtarëve janë të pabazuara dhe të padrejta. Ai theksoi se procesi pesëvjeçar ka qenë i rëndësishëm si për të akuzuarit ashtu edhe për historinë e Kosovës dhe shprehu pritshmërinë që trupi gjykues të vlerësojë me kujdes faktet.
Selimi rikujtoi deklarimin e tij të prillit 2023 dhe tha se akuzat mbeten të pabazuara. Ai sqaroi se para Gjykatës nuk qëndron për të mbrojtur veten personalisht, por për të kërkuar drejtësi të drejtë dhe të paanshme.
“Për mua, të qenit bashkëluftëtar i Adem Jasharit është nderi më i madh. Po, kam bartur armë. Armët për ne ishin mbijetesë. Shumë nga bashkëluftëtarët tanë kanë vdekur duke i siguruar ato. UÇK-ja nuk kishte qëllim tjetër përveç lirisë. UÇK ishte ushtri çlirimtare,” u shpreh Selimi.
Ai theksoi se kërkesa e tij e vetme është që trupi gjykues të ushtrojë drejtësinë mbi bazën e provave.
Krasniqi: Paraburgimi i padrejtë
Jakup Krasniqi e cilësoi të padrejtë paraburgimin e tij dhe të bashkëluftëtarëve. Ai uroi qytetarët për 18-vjetorin e Pavarësisë dhe deklaroi se para Gjykatës nuk qëndron si kriminel, por si një njeri i formuar në luftëra për dinjitet njerëzor.
Krasniqi tha se mbi pesë vite paraburgim kanë qenë të padrejta dhe të panevojshme, duke i cenuar të drejtat themelore, përfshirë lirinë dhe jetën familjare. Ai theksoi se ndodhet në vitin e 16-të të burgimit nga 75 vite jetë, për shkak të angazhimit të tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, dhe kujtoi daljen publike të 11 qershorit 1998 si kundërshtim ndaj politikave të Serbisë.
“Kur e vërteta thuhet, thjesht nuk ka nevojë për zbukurime. Ishte ky vizion që udhëhoqi luftën,” tha Krasniqi.
Në përfundim, katër të akuzuarit theksuan se përgjegjës për dhunën dhe masakrat në Kosovë ishte regjimi i Millosheviqit, ndërsa UÇK-ja veproi për mbrojtjen e popullsisë dhe realizimin e lirisë. Secili kërkoi nga trupi gjykues të mbështetet në prova dhe të marrë një vendim për pafajësi. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje