Avokatja e së Drejtës Ndërkombëtare Penale (me grupin e mbrojtjes së Rexhep Selimit në Hagë), Dina Jasini, thotë se vendimi për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mund të merret në periudhën qershor-korrik të këtij viti.
"Kjo mbetet për t’u parë, trupi gjyqësor ka deklaruar se do njoftojë palët në proces, mendoj nga qershori, maksimumi në korrik. Ka arsye të justifikuara mbi bazën e volumit të çështjes, mos të harrojmë që deklarata përmbyllëse kanë qenë sintezë e dosjeve me qindra faqe. Të katër të akuzuarit janë të prezumuar të pafajshëm, prokuroria është një palë.", tha Jansini.
Më tej avokatja tha se Prokuroria pas një procesi të gjatë e të lodhshëm e ka mbështetur akuzën në disa “thërrime provash”, me mungesë qartësie se çfarë kërkon të provojë.
"Prokuroria pretendon se UÇK-ja ka vepruar në bazë të një zinxhiri të mirëstrukturuar komandimi dhe të katërt kanë pasur përgjegjësi individuale komanduese, gjë që kërkon interpretim se për sa kohë kanë qenë anëtarë të Shtabit, prokuroria pretendon se kanë pasur përgjegjësi dhe për atë që kanë kryer vartësit e tyre. Kategoria e përgjegjësisë penale që kjo prokurori kërkon të provojë, është kategoria e tretë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale. Sipas Prokurorisë, ata duhet të kishin ditur që në një cep të Kosovës dikush iu bashkua vullnetarisht UÇK-së…", tha avokatja.
Në Gjykatën Speciale në Hagë u mbajt më 18 shkurt, një prej seancave më të rëndësishme në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Ata patën në dispozicion nga 20 minuta për t’iu drejtuar gjykatës me deklaratat e tyre përmbyllëse.
Ish-krerët e UÇK-së ndodhen në qendrën e paraburgimit të Hagës që nga muaji nëntor i vitit 2020. Ndaj tyre janë ngritur akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Prokuroria Speciale në Hagë ka kërkuar 180 vite burg në total (nga 45 vite për secilin). Akuzat e saj janë rrëzuar nga avokatët mbrojtës e të 4 ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Pas seancës së sotme, Gjykata Speciale ka kohë 90 ditë për të shpallur vendimin.
Lini një Përgjigje