Kosova duhet të zgjedhë presidentin e ri deri më 5 mars 2026. Megjithatë, kryeministri Albin Kurti nuk ka ndërmarrë ende hapa konkretë për të nisur konsultat me partitë parlamentare, ndonëse afati kushtetues po afrohet.
Kreu i qeverisë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka bërë publik nëse do të mbështesë një mandat të dytë për Vjosa Osmanin apo do të propozojë një emër tjetër për postin e presidentit. Paralajmërimet për bisedime me forcat politike nuk janë shoqëruar me ftesa zyrtare.
Kryetarja e NDS-së (Nova Demokratska Stranka), Emilija Rexhepi, konfirmoi se nuk ka pasur komunikim me Kurtin për këtë çështje. Edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, deklaroi se nuk është në dijeni të ndonjë ftese për konsultime.
Sipas Eguen Cakollit nga KDI, nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin brenda afatit të përcaktuar, vendi do të përballet me zgjedhje të reja parlamentare.
Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka shprehur gatishmëri për të kërkuar një mandat të dytë. Ndërkohë, partitë opozitare kanë deklaruar se janë të hapura për konsultime. AAK ka përmendur mundësinë e një kandidature nga familja Jashari, ndërsa LDK ka sinjalizuar se mund të propozojë një emër të saj.
Afati kushtetues po afron, por procesi për ndërtimin e konsensusit mbetet i paqartë.
Lini një Përgjigje