TAGS-AT E JAVËS

Kosova30 Shtator 2023, 15:51

“Zbythet” Vuçiç, pas ultimatumit amerikan tërheq ushtrinë nga kufiri me Kosovën

Shkruar nga Pamfleti
“Zbythet” Vuçiç, pas ultimatumit amerikan tërheq
Ushtria serbe nis tërheqjen

Pa mbushur 24 orë nga ultimatumi amerikan, sot janë vënë re lëvizje ushtarake në kufirin Kosovë-Serbi.

Aleksandër Vuçiç duket se ka filluar të zbythet pas ultimatumit që mori dje nga Shtëpia e Bardhë. Amerikanët zbuluan se kanë parë një rritje të ndjeshme të prezencës ushtarake në kufi me Kosovën dhe dje ishte Koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, i cili kërkoi që Serbia të largojë me urgjencë ushtrinë.

Pa mbushur 24 orë nga ultimatumi, sot janë vënë re lëvizje ushtarake në kufirin Kosovë-Serbi. Një autokolonë ushtarake ka lëvizur nga Vranja në drejtim të Nishit, afër qytetit të Predejanës.

Qyteti i Predejanit ndodhet 300 kilometra në jug të Beogradit dhe rreth 100 kilometra nga pikëkalimi më i afërt kufitar ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Merdarë.

Kolona me automjete të ushtrisë serbe, rreth mesditës po lëvizte nga jugu në veri të vendit.

Serbia kishte dislokuar trupat ushtarake në Vranjë, afër kufirit me Kosovën, pas sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit të dielën, ku mbeten të vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, dhe tre sulmues.

Qeveria e Kosovës, SHBA-ja dhe BE-ja e kanë cilësuar si terrorist sulmin në Banjskë, ndërsa Serbia ka mohuar përfshirjen.

“Ne do të monitorojmë dislokimin e madh serb përgjatë kufirit me Kosovën. Ne i bëjmë thirrje Serbisë të tërheqë forcat nga kufiri dhe të vazhdojë të ulë tensionet”, tha Kirby gjatë një bisede me gazetarë më 29 shtator.

Kirby u pyet nëse ky grumbullim i trupave ushtarake pranë kufirit është sinjal se Serbia po përgatitet për ndonjë pushtim ushtarak.

“Po e shikojmë, po e vëzhgojmë. Por, qëllimin nuk mund ta them tani”, tha ai. Megjithatë, Kirby tha se “madhësia” e trupave të grumbulluara është destabilzuese. /Pamfleti

 

kosov serbia ushtria

Lini një Përgjigje