
DASH i ka kërkuar Vuçiçit që të lirojë pa kushte tre policëve të Kosovës të ndaluar në Serbi.
Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) sërish ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të ndërmarrin hapa urgjent dhe konkret në depërshkallëzimin e situatës, si dhe t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
DASH ka theksuar se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë shumë të qartë për pritshmëritë e tyre nga të dyja palët.
“Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të ndërmarrin hapa urgjent, konkretë për të de-përshkallëzuar tensionet. Kjo përfshin lirimin pa kushte të tre policëve të Kosovës të ndaluar në Serbi”, thuhet në një përgjigje të DASH-it për Zërin e Amerikës (në gjuhën serbe).
Më tej, Departamenti amerikan i Shtetit thotë se “të dyja palët duhet të ndjekin planin e propozuar nga Bashkimi Evropian dhe të kthehen pa vonesë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja”.
Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka thënë dje se është shumë i alarmuar me situatën në veri të Kosovës.
Ai e ka kritikuar fuqishëm Kosovën, duke reaguar pas arrestimeve të reja nga Policia e Kosovës ndaj të dyshuarve për dhunë ndaj KFOR-it dhe pas marshimit të rregullt Ushtrisë së Kosovës në Mitrovicën jugore. Për këtë retorikë, i është kundërpërgjigjur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Jashtme Donika Gërvalla të cilët thonë se arrestimi i serbëve në veri është bërë në përputhje me ligjin.
Një javë më parë një gjykatë në Serbi urdhëroi mbajtjen në paraburgim dhe hetimin e tre policëve të Kosovës, nën akuzat për “prodhim, posedim, mbajtje dhe trafik të paautorizuar të armëve dhe lëndëve shpërthyese".
Autoritetet në Prishtinë thanë se policët janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës duke e akuzuar Serbinë për “cenim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore” të Kosovës. Beogradi thotë ndërkaq se policët janë kapur brenda territorit të Serbisë.
Me 1 qershor Bashkimi Evropian u kërkoi Kosovës dhe Serbisë organizimin sa më parë të zgjedhjeve të reja në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, pjesëmarrjen e qartë të partive serbe në ato zgjedhje dhe zgjidhje të shpejtë të çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Tensionet janë të larta në veri të Kosovës që nga 26 maji prej kur grupe qytetarësh serbë po protestojnë duke kundërshtuar vendosjen në zyra komunale të kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, që u bojkotuan nga partitë politike serbe. Të hënën e 29 majit protestat u përshkuan me dhunë nga e cila mbetën të plagosur 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të NATO-s nga përleshjet me protestuesit serbë.
Lini një Përgjigje