“Plas” konflikti mes Albin Kurtit dhe zyrtarit të lartë të BE, Josep Borrell. Ndonëse një ditë më parë u duk sikur palët ranë dakord në Bruksel për qetësimin e situatës, në fakt tensionet janë rritur dhe duket se është thyer edhe “buka” mes Kosovës dhe BE.
Sot Borrell bëri një reagim pak të ekzagjëruar. Kosova arrestoi një prej personave që sulmoi KFOR dhe zhvilloi një marshim ushtarak në Veri, marshim i koordinuar me KFOR. Por Borrell reagoi ashpër duke akuzuar Prishtinën se po nxit tension.
Por në mbrëmje ka ardhur një reagim i ashpër i Albin Kurtit. Ky i fundit ka akuzuar Borrell se po bën deklarata të rreme, teksa e akuzoi zyrtarin e BE se po nxit panik dhe tension në Veri
Ai shton se stërvitja e FSK-së është një aktivitet rutinë i cili planifikohet çdo vit dhe për këtë është në dijeni KFOR. Më tej Kurti thotë se bazuar në prova, personat serbë të arrestuar, janë vënë në pranga si përgjegjës për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR në Zveçan më 29 maj.
“Stërvitjet e sotme të Regjimentit të 3-të të FSK-së në Mitrovicën Jugore janë një aktivitet rutinë, i planifikuar çdo vit, për të cilin KFOR-i ishte plotësisht i informuar. Ai përbëhej nga 215 ushtarë që shkonin nga garnizoni “Minatori” në Frashër dhe ktheheshin. Dezinformimi është i rrezikshëm dhe i papranueshëm. Bazuar në prova të shumta dhe në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe të drejtat e procesit të rregullt ligjor, policia arrestoi një person në Mitrovicën e veriut për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it në Zveçan më 29 maj.
Si kryeministër i një shteti demokratik, nuk kam asnjë përfshirje në hetimet dhe arrestimet. Përhapja e panikut dhe pretendimeve të rreme vetëm ndez tensionet dhe ndihmon ata që kërkojnë t’i përshkallëzojnë ato. Një thirrje për të gjithë: ju lutemi konfirmoni burimet tuaja dhe prisni informacione zyrtare nga institucionet e Kosovës përpara se të vendosni të angazhoheni publikisht në transmetimin e lajmeve ose parashikimin e ngjarjeve”, shkruan Kurti në Twitter.
Lini një Përgjigje