Veriu i Kosovës nuk gjen qetësi. Edhe pse një ditë më parë u duk sikur u arrit akordi në Bruksel, duket se palët vijojnë të ndezin zjarrin e konfliktit. Sot shkak janë bërë dy zhvillime të forta. Së pari policia e Kosovës arrestoi një person që dyshohet se ishte pjesë e grupit që sulmoi forcat e KFOR. Dhe së dyti, sot në Mitrovicë pati një marshim të Forcave të Sigurisë së Kosovës.
Arrestimi i bërë nga policia solli sulme e akuza nga Beogradi. Sipas tyre Kurti po provokon luftë. Ndërkohë më pas ajo që “nxehu gjakrat” ishte një marshim i ushtrisë së Kosovës në Veri, gjë që solli me urgjencë reagimin e kreut të shtabit të Ushtrisë në Serbi.
Ky marsh nisi nga ora 09:00 e mëngjesit nga kazerma Minatori në drejtim të fshatrave Bajr, Frashër i Vogël dhe Frashër i Madh, ku morën pjesë 215 ushtarë të FSK-së.
“Marshimi është realizuar duke filluar nga ora 09:00 nga kazerma “Minatori” në drejtim të fshatrave Bajr, Frashër i Vogël dhe Frashër i Madh. Në këtë marshim ka marrë pjesë gjithsej me 215 pjesëtar. Qëllimi i këtij marshimi ka qenë mbajtja dhe përmirësimi i gatishmërisë fizike të pjesëtarëve të R3K”, thuhet në njoftimin nga FSK.
Ndërkohë kreu i ushtrisë serbe, Milan Mojsiloviç, kërcënoi me ndërhyrje ushtarake. Ai i kërkoi KFOR-it të marrë masa, pasi në të kundër sipas tij, ata do të ndërhyjnë vetë.
“Ushtria serbe përmbush të gjitha detyrimet e saj ligjore ndërkombëtare që dalin nga Rezoluta 1244, marrëveshja teknike ushtarake dhe të gjitha procedurat e përkohshme për regjimin e punës përgjatë vijës administrative. Por sot është e qartë se komuniteti ndërkombëtar nuk po i përmbush detyrimet e veta. Ushtria në përputhje me Kushtetutën e Serbisë dhe Kartën e OKB-së nëse merr urdhër nga komandanti suprem, do t’i kryejë të gjitha detyrat e tij në lidhje me krizën e përgjithshme të sigurisë. Rroftë Serbia”, përfundoi fjalimin e tij gjenerali Mojsiloviç.
Mirëpo kjo retorikë ka acaruar ndërkombëtarët. Përfaqësuesi i lartë i BE, Josep Borrell, ka deklaruar se të dyja palët po përshkallëzojnë situatën. Ai ka paralajmëruar masa.
“Shumë i alarmuar nga situata në veri të Kosovës: arrestime jashtëgjyqësore të serbëve të Kosovës dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës që marshojnë në Mitrovicën e Jugut; e ndjekur nga retorika e rëndë nga Serbia. Pavarësisht takimit të djeshëm të krizës, përshkallëzimi vazhdon dhe po bëhet i rrezikshëm. Nuk do ta tolerojmë”, shkruan ai. /Pamfleti
Lini një Përgjigje