
Nuk kanë fund bëmat e vëllezërve Devolli në Kosovë. Pasi u futën fuqishëm në tregun mediatik shqiptar duke blerë “Abc News”, vëllezërve Devolli po u dalin të palarat njëra pas tjetrës. “Klan Kosova” rezulton si kompani e regjistruar në Maqedoni dhe e financuar nga Serbia dhe kjo bëri që të pezullohej licenca.
Mirëpo Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), ka zbuluar se një tjetër kompani që të gjithë e dinë që është vëllezërve Devolli, figuron e regjistruar në të njëjtë mënyrë. Bëhet fjalë për “Art Motion”, një kompani që ofron shërbim interneti, IPTV etj. Sot ARBK ka njoftuar se ka bërë pezullimin e licencës.
Sipas ARBK “Art Motion” përbën “kërcënim serioz ndaj sigurisë publike”. “Certifikata e biznesit e kompanisë Art Motion shfuqizohet nga ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së ARBK-së, për shkak të kërcënimit serioz ndaj sigurisë publike, të shkaktuar me shkeljen e normave kushtetuese nga vetë ky biznes, dëshmuar përmes mohimit të shtetësisë së Republikës së Kosovës gjatë regjistrimit, përfshirë gëzimin e statusit të investitorit të huaj me të gjitha benefitet që sjell I njëjti me legjislacionin në fuqi, e në lajthitje të institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.
Por mediat në Kosovë kanë zbuluar se skema e ndjekur nga “Art Motion” është identike me Klan Kosovën.
Sipas “Kosova News”, Kompania ArtMotion, gllabëroi rrjetin kabllor të internetit dhe të përmbajtjeve televizive, në veçanti ato sportive, duke e monopolizuar tregun tashmë në gjithë Kosovën.
Sipas investigimit, në qindra faqe dokumente të nxjerra në institucionet e Republikës së Kosovë dhe të Maqedonisë Veriore, pronësia e Art Motion Sh.P.K është gjithashtu e ndërlikuar dhe me pronar fiktiv.
Sipas të dhënave të ARBK-së, kompania që e ka në pronësi Art Motion SH.P.K është një kompani tjetër e regjistruar në Kosovë, pra AM Invest Group SH.P.K, ndërsa pronare e kësaj kompanie është një tjetër kompani “am invest group holding” dooel. Në webfaqen e ARBK-së, përveç emrit, nuk ka asnjë të dhënë se prej nga është kjo kompani, pra nuk dihen shteti, adresa, pronari etj. dhe pikërisht këtu edhe “fle lepuri”.
Por sipas “Kosova News”: “Ashtu si në rastin e “Klan Kosovës”, në qindra faqe materiale të siguruara dhe të nxjerra nga institucionet e Kosovës dhe të Maqedonisë Veriore, çuditërisht askund nuk figuron emri i biznesmenit Shkëlqim Devolli, edhe pse i gjithë opinioni e di që kjo kompani është blerë nga Devollët që nga viti 2017. Në bazë të të dhënave zyrtare, pronari “me letra” i ART Motion është z. Valon Shala nga Peja. Sipas burimeve të KosovaNews, z. Shala punon si menaxher i marketingut dhe shef i distributoreve në Princ Caffe, edhe kjo kompani po supozojmë që është në pronësi të Devollëve…”
Sipas portalit, skema e pronësisë së Arta Motion kalon në Maqedoni e regjistruar me pasaportë serbe
“Kosova News” ka zbuluar se kjo kompani është e regjistruar në Maqedoninë Veriore. Në bazë të fletëregjistrimit që e kemi nxjerrë nga Regjistri Qendror i Bizneseve në Maqedoninë e Veriut, kompania “Am invest group holding” dooel është e regjistruar si kompani hollding, me pronar me pasaportë të Serbisë dhe ku paraqitet si investim i huaj nga SERBIA! Po, po, nga Serbia dhe si pronar i vetëm figuron te jetë z. Valon Shala, me adresë të vendbanimit: “Ul. Leke Dukadjini br 33-1 Peç, Država: Srbija”, pra e përkthyer në shqip: “Rruga: Lekë Dukagjini nr.33-1, Shteti: Serbia”.
Lini një Përgjigje