TAGS-AT E JAVËS

Politike12 Korrik 2026, 19:37

Konferenca Ndërqeveritare në Bruksel për mbylljen e grupkapitujve për Shqipërinë, zbardhet axhenda

Shkruar nga Pamfleti
Konferenca Ndërqeveritare në Bruksel për mbylljen e grupkapitujve
Foto ilustruese

Shqipëria pritet të shënojë një tjetër hap në procesin e integrimit europian, teksa më 14 korrik do të zhvillohet në Bruksel Konferenca Ndërqeveritare me Bashkimin Europian, ku pritet të formalizohet mbyllja e tre kapitujve të parë të negociatave të anëtarësimit.

Delegacioni zyrtar shqiptar do të kryesohet nga kryeministri Edi Rama. Konferenca është konfirmuar nga institucionet e Bashkimit Europian dhe konsiderohet një moment i rëndësishëm në ecurinë e negociatave, duke shënuar nisjen e fazës së mbylljes graduale të kapitujve negociues.

Sipas axhendës, konferenca do të zhvillohet në ambientet e Këshillit të Bashkimit Europian dhe pritet të nisë rreth orës 19:00. Kryeministri Rama do t'u drejtohet me një fjalë përfaqësuesve të vendeve anëtare të BE-së, së bashku me ministrin e Jashtëm të Irlandës dhe komisioneren për Zgjerimin, Marta Kos.

Gjatë konferencës pritet të formalizohet mbyllja e tre kapitujve të negociatave:

Kapitulli 25 – Kërkimi shkencor
Kapitulli 26 – Arsimi dhe kultura
Kapitulli 30 – Marrëdhëniet me jashtë
Në përfundim të takimit është parashikuar një konferencë për shtyp, e cila pritet të zhvillohet rreth orës 20:00.

Mbyllja e këtyre kapitujve përkon me presidencën irlandeze të Këshillit të Bashkimit Europian, mandat që Irlanda do ta mbajë deri më 31 dhjetor të këtij viti. Autoritetet europiane dhe pala shqiptare synojnë që procesi i negociatave të vijojë me ritme të përshpejtuara edhe gjatë muajve në vijim.

Përpara angazhimeve në Bruksel, Rama do të ndalet në Paris më 13 korrik, me ftesë të presidentit francez Emmanuel Macron. Kryeministri shqiptar do të marrë pjesë në një darkë pune kushtuar vullnetarëve të Ukrainës, ndërsa mëngjesin e 14 korrikut do të jetë i pranishëm edhe në Paradën Ushtarake të Francës, përpara se të udhëtojë drejt Brukselit për Konferencën Ndërqeveritare me Bashkimin Europian.

konferenca ndërqeveritare në bruksel

Lini një Përgjigje