
Mungesa e ndërhyrjes direkte ndërkombëtare deri tani sugjeron, që Kosova po testohet për aftësinë e saj për të zgjidhur krizat vetë, gjë për të cilën kanë dështuar deri më tani.
Sonte në orën 22:00, Kosova përballet me afatin e fundit të vendosur nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit të ri, pas dështimit të sencës së 53-të mesditën e sotme. Pavarësisht 53 përpjekjeve të dështuara për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe përfundimin e procesit të konstituimit, bllokada politike vazhdon.
Seanca e fundit e zhvilluar sot në orën 14:00, me 101 deputetë të pranishëm, përfundoi pa zgjidhje, duke shtyrë përpjekjen e radhës për në orën 22:00. Kjo situatë e paprecedentë ka zhytur Kosovën në një krizë të thellë politike, duke rrezikuar stabilitetin institucional dhe përparimin e vendit.
VV ka këmbëngulur për krijimin e një komisioni për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, një propozim i hedhur poshtë nga opozita (PDK, LDK, AAK), të cilët e konsiderojnë këtë veprim jokushtetues dhe kërkojnë votim të hapur.
Gjatë seancës së sotme në orën 14:00, 101 deputetë ishin të pranishëm, por vetëm 54 votuan pro komisionit të votimit të fshehtë, ndërsa PDK, LDK dhe AAK refuzuan të propozojnë kandidatë për komision dhe të marrin pjesë në votim.
-Por si arriti Kosova deri në këtë pikë?
Që nga 15 prilli 2025, kur u mbajt përpjekja e parë për konstituimin e Kuvendit, procesi është bllokuar për shkak të mungesës së konsensusit për kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe procedurat e votimit. Opozita ka akuzuar VV-në për shkelje të Kushtetutës, veçanërisht për shkak të qëndrimit të Albin Kurtit, i cili ka mbajtur njëkohësisht mandatin e deputetit dhe rolin e kryeministrit në detyrë. VV, nga ana tjetër, ka akuzuar opozitën për pengim të procesit dhe sulm ndaj rendit kushtetues të Kosovës.
Më 26 qershor 2025, Gjykata Kushtetuese urdhëroi përfundimin e bllokadës brenda 30 ditëve, duke caktuar 26 korrikun si afat të fundit. Gjykata ka vendosur gjithashtu një masë të përkohshme që ndalon veprimet e deputetëve nga 27 korriku deri më 8 gusht, për të shmangur dëme të pariparueshme në rendin kushtetues.
-Çfarë rrezikon Kosova nga kjo situatë?
Pa një Kuvend të konstituuar, Kosova nuk mund të formojë një qeveri të re, duke lënë institucionet kryesore, përfshirë qeverinë dhe presidencën, me kompetenca të kufizuara.
Kjo situatë pengon miratimin e ligjeve, buxhetit të shtetit dhe vendimeve të rëndësishme për funksionimin e vendit. Nëse Kuvendi nuk konstituohet sonte, Gjykata Kushtetuese mund të shpallë zgjedhje të reja të parakohshme, siç ka ndodhur në të kaluarën. Kjo do të zgjaste krizën politike dhe do të rriste pasiguritë ekonomike dhe sociale. Bllokada gjithashtu rrezikon ngecjen e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor të BE-së dhe dëmton kredibilitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Një krizë e zgjatur mund të shfrytëzohet nga aktorë të jashtëm për të destabilizuar rajonin.
-Po Ndërkombëtarët?
Ekziston mundësia e ndërhyrjes së Ndërkombëtarëve. Presioni nga Quint-i dhe BE-ja mund të shtyjë palët drejt një kompromisi të minutës së fundit. Nga ana tjetër, mungesa e ndërhyrjes direkte ndërkombëtare deri tani sugjeron, që Kosova po testohet për aftësinë e saj për të zgjidhur krizat e vetë, gjë për të cilën kanë dështuar deri më tani. Një gjë është e sigurt, çdo vonesë për konstituimin e Kuvendit do të paguhet në kurriz të qytetarëve të Kosovës./Pamfleti
Lini një Përgjigje