TAGS-AT E JAVËS

Kosova25 Korrik 2025, 16:11

Dështimi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës, ambasadorët: Politikanët po e zhgënjejnë popullin 

Shkruar nga Pamfleti

Dështimi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës,
 
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës dështoi sërish të premten, duke mos arritur të prodhojë rezultat për formimin e institucioneve të reja. Ambasadorët e vendeve perëndimore, të pranishëm në seancë, shprehën zhgënjimin dhe shqetësimin e tyre për ngërçin politik, duke i bërë thirrje klasës politike të gjejë zgjidhje para afatit të fundit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, më 26 korrik. 

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, deklaroi se shkuan në Kuvend me shpresën për një zhvillim pozitiv, por asgjë nuk ndodhi.  

Kosovës i nevojitet një Kuvend menjëherë dhe një qeveri e re që do të ndërtonte një urë të fortë me Brukselin për të përshpejtuar rrugëtimin drejt BE-së”, tha Orav, duke theksuar urgjencën e krijimit të institucioneve. 

Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, kritikoi ashpër klasën politike, duke thënë se ajo po e zhgënjen popullin. Ai e krahasoi vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, që pezullon vendimmarrjen e Parlamentit, me një “karton të kuq” në futboll, duke paralajmëruar për pasojat e bllokadës. 

Në të njëjtën linjë, ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, përmes një postimi në Facebook, u bëri thirrje deputetëve të gjejnë një zgjidhje të përbashkët para afatit të nesërm.  

“Përndryshe, Kosova rrezikon të hyjë në një territor të panjohur, duke lënë qytetarët pa përfaqësim kuptimplotë dhe pa aftësi për të marrë vendime të rëndësishme”, shkroi ai. 

Ambasadori francez, Olivier Guerot, i cili gjithashtu mori pjesë në seancë, u bëri thirrje deputetëve të shfrytëzojnë orët e fundit para skadimit të afatit 30-ditor të Gjykatës Kushtetuese.  

“Bllokimi aktual po dëmton Kosovën. I inkurajoj politikanët të veprojnë shpejt”, tha Guerot. 

Ambasadorët perëndimorë paralajmëruan se mungesa e institucioneve funksionale mund të ketë pasoja të rënda për Kosovën, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar, duke rrezikuar stabilitetin dhe integrimin evropian të vendit. 
 

Lini një Përgjigje