
Avni Dehari tha se seanca do të vazhdojë sërish sot në orën 22:00, për një tentativë të fundit, të 54-t.
Ka dështuar edhe përpjekja e 53-të, ku deputetët nuk e konstituan Kuvendin e Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Kryesuesi Avni Dehari ua ndërpreu fjalën deputetit të PDK-së Abelard Tahirit, deputetes së LDK-së Jehona Lushaku Sadriu dhe deputetes së AAK-së Time Kadrijaj.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari tha se seanca do të vazhdojë sërish sot në orën 22:00, për një tentativë të fundit, të 54-t.
Në vendimin e saj më 26 qershor, Kushtetuesja urdhëroi që brenda afatit prej 30 ditësh të përfundojë procesi i konstituimit, përfshirë zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendi. Ky afat përfundon sot në mesnatë.
107 deputetë ishin të pranishëm në sallë, por konstituimi dështoi pasi që sërish nuk pati propozime dhe kuorum për formimin e një komisioni për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri.
Pas mesnatës, deputetët nuk do të mund të marrin asnjë vendim apo veprim në drejtim të konstituimit të Kuvendit.
Mbledhja e sotme u zhvillua vetëm pak ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të vendosur një masë të përkohshme ndaj veprimtarive të Kuvendit. Sipas kësaj mase, që hyn në fuqi nga 27 korriku deri më 8 gusht, Kuvendi mund të shfrytëzojë ditët e mbetura nga afati 30-ditor për konstituim, por nuk lejohet të marrë vendime të tjera.
Vendimi erdhi pas kërkesave të parashtruara nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Duke qenë se deputetët nuk arrijnë ta konstituojnë Kuvendin, atëherë nga 27 korriku hyn në fuqi masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese. Kjo, pasi nuk është e qartë se çfarë pasojash ka nëse nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës brenda afatit të dhënë nga Gjykata Kushtetuese.
Pavarësisht se Lëvizja Vetëvendosje ka dalë fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, procesi për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit është bllokuar. Kandidatura e Albulena Haxhiut është kontestuar nga partitë e tjera, si për emrin e propozuar ashtu edhe për mënyrën e votimit, që synohet të kalojë nga votim i hapur në të fshehtë.
Koalicioni i përbërë nga Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa nuk ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme në seancat e mëparshme për të zgjedhur kryeparlamentarin. Përfaqësues diplomatikë të vendeve perëndimore kanë shprehur hapur shqetësimin e tyre për vazhdimin e krizës politike në vend.
Organizatat joqeveritare në Kosovë, pak orë para nisjes së seancës, u bënë thirrje deputetëve që ta shfrytëzojnë këtë mundësi të fundit për ta konstituuar Kuvendin.
“Dalja nga kjo krizë është ende e mundur, por kërkon vullnet dhe lidership politik. Partitë politike duhet të intensifikojnë përpjekjet për arritjen e konsensusit përmes kompromisit dhe bashkëpunimit”, thuhet në reagimin e Institutit Demokratik të Kosovës (KDI).
Lini një Përgjigje