Një ngjarje tragjike ka ndodhur mëngjesin e sotëm në qytetin e Prizrenit, ku një banesë pranë Shtëpisë së Kulturës u përfshi nga flakët, duke shkaktuar vdekjen e një fëmije njëvjeçar.
Lajmi u konfirmua nga zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili tha se tre fëmijë të tjerë 4, 6 dhe 10 vjeç janë shpëtuar dhe po marrin ndihmën mjekësore të nevojshme.
“Sot, më 30 dhjetor 2025, rreth orës 10:00, është raportuar një zjarr në një shtëpi banimi në qendër të Prizrenit. Një fëmijë rreth 1 vjeç ka humbur jetën, dyshohet si pasojë e thithjes së tymit. Tre fëmijë të tjerë janë shpëtuar dhe po marrin trajtim në Emergjencë”, deklaroi Bytyqi.
Sipas Policisë, njësitë e zjarrfikësve dhe emergjencës reaguan menjëherë në vendngjarje dhe zjarri është lokalizuar pothuajse plotësisht, ndërsa ekipet po qëndrojnë ende në zonë për hetime dhe sigurimin e plotë të ambientit.
Nga informacionet e dhëna nga Spitali i Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa”, bëhet e ditur se fëmija i lindur në vitin 2024 ishte sjellë në Emergjencë pa shenja jete. Mjeku i turnit ka konstatuar vdekjen.
“Nga i njëjti rast, në repartin e pediatrisë janë sjellë edhe tre fëmijë të tjerë, me moshë 4, 6 dhe 10 vjeç, si pasojë e intoksikimit nga tymi. Gjendja e tyre është stabile dhe ata po trajtohen në repartin e pediatrisë”, thuhet në reagimin zyrtar të spitalit.
Lini një Përgjigje