TAGS-AT E JAVËS

Kosova29 Dhjetor 2025, 17:43

Zgjedhjet në Kosovë, reagon BE: Qeveria e re të formohet sa më shpejt!

Shkruar nga Pamfleti
Zgjedhjet në Kosovë, reagon BE: Qeveria e re të formohet sa
Marta Kos dhe Kaja Kallas

Bashkimi Evropian pret konstituimin e shpejtë të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re të Kosovës për të vazhduar angazhimin me autoritetet kosovare pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Kështu thuhet në një deklaratë të përfaqësueses së lartë të BE-së, Kaja Kallas dhe komisionares për Zgjerim, Marta Kos, një ditë pasi Kosova mbajti zgjedhje të parakohshme, të cilat i fitoi Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit.

“Qeveria e re duhet të dyfishojë përpjekjet e saj për reformat shumë të nevojshme që lidhen me BE-në”, thuhet në deklaratën e dy zyrtareve evropiane.

BE-ja mirëpriti pjesëmarrjen e partive nga të gjitha komunitetet në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke thënë se ky proces tregoi “përkushtim të fortë për parimet demokratike”.

“I bëjmë thirrje Kuvendit që sapo të formohet të ratifikojë marrëveshjet që lidhen me Planin e Rritjes”, u tha në deklaratë.

Po ashtu Kallas dhe Kos thanë se ratifikimi i marrëveshjeve që lidhen me Planin e Rritjes janë në interesin e Kosovës dhe kjo, sipas tyre, duhet të ndodhë sa më shpejtë në mënyrë që popullata të përfitojë nga ky plan.

Dy zyrtaret evropiane në deklaratën e përbashkët përmendën edhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga blloku evropian, duke theksuar se ai mbetet rruga e vetme për të dyja vendet për të bërë përparim drejt BE-së.

“Ne presim që të gjitha obligimet që dalin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme të dialogut, të zbatohen pa vonesa apo parakushte të mëtejshme. BE-ja është e gatshme të organizojë një takim të nivelit të lartë sapo kushtet ta lejojnë”, u tha në deklaratë.

 

marta kos dhe kaja kallas be zgjedhjet në kosovë

Lini një Përgjigje