TAGS-AT E JAVËS

Kosova29 Dhjetor 2025, 08:23

Zgjedhjet në Kosovë/ Albin Kurti fiton shumicën, rezultatet sa deputetë do të ketë secila parti në parlamentin e ri

Shkruar nga Pamfleti
Zgjedhjet në Kosovë/ Albin Kurti fiton shumicën, rezultatet sa
Albin Kurti

Lëvizja Vetëvendosje ka arritur fitore bindëse në zgjedhjet e parakohshme të së dielës. Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, LVV-ja ka rritjen më të madhe me 49 për qind të votave ose mbi 429 mijë vota, 7 për qind më shumë krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit, pa i llogaritur votat nga diaspora, votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta. Ky rezultat ia mundëson asaj ta krijojë qeverinë e vetme, me komunitetet joshumicë joserbe. Në vendin e dytë renditet PDK-ja me 21,16 për qind, derisa rënien më të madh e ka pësuar Lidhja Demokratike duke rënë nën 14 për qind.

LVV-ja me 56 mandate, rrugës për ta formuar e vetme qeverinë

Përkthyer në mandate, Lëvizja Vetëvendosje me pak nën 50 për qind të votave ka siguruar 56 ulëse në Kuvend.

Me përllogaritjen sipas formulës “D’Hondt”, Partia Demokratike e Kosovës me 21 për qind të votave ka 23 ulëse. Lidhja Demokratike ka 15 ulëse, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar 6 ulëse.

Në krahasim me zgjedhjet e shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje është rritur në Kuvend për tetë ulëse, nga 48 sa i kishte.

Ndërkaq, PDK-ja e humbi një ulëse. LDK-ja ka humbur pesë ulëse, nga 20 sa i kishte. AAK-ja në koalicion me Nismën ka pasur 8 ulëse. Kjo përllogaritje nuk i përfshin edhe votat me postë dhe ato në përfaqësi diplomatike.

20 ulëset e tjera ndahen në 10 për komunitetin serb dhe 10 për komunitetet tjera. Për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe më pas votimit të qeverisë, janë të domosdoshme 61 vota.

Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para edhe në shumicën e komunave të vendit. Është konfirmuar forca kryesore në 24 komuna, përfshirë ato të cilat llogariten bastione të partive opozitare.

Është e para në Gjakovë, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë-Kosovë, Kamenicë, Mitrovica e Jugut, Lipjan, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Shtime, Suharekë, Ferizaj, Viti, Vushtrri, Malishevë, Junik dhe Hani të Elezit. Partia Demokratike e Kosovës është e para në Drenas e Skenderaj. Në Deçan ka dalë e para Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kurse në Mamushë KDPT-ja.

Zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit kanë hyrë në histori sa i përket daljes së qytetarëve në vendvotimet brenda Kosovës. Të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 899 mijë e 521 qytetarë, pa i llogaritur votat nga diaspora, votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta.

Në përqindje, i bie se të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar afro 45 për qind e atyre me të drejtë vote. Rekordi i pjesëmarrjes në zgjedhje ishte vendosur më 9 shkurt sivjet. Atë kohë në qendrat e votimit në Kosovë kishin votuar 871 mijë e 662 votues. Ndërkaq bashkërisht me votat e diasporës dhe atyre në përfaqësi, numri kishte mbërritur në 966 mijë vota.

 

albin kurti fiton zgjedhjet në kosovë

Lini një Përgjigje