
Vuçiç ishte i gatshëm të diskutonte dy kushtet e para të Kurtit, por jo atë të dorëzimit të Radoiçiç!
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, në një konferencë për shtyp deklaroi se sot në Bruksel nuk është mbajtur takim trepalësh BE-Kurti-Vuçiç. Borrell theksoi se Kosova nuk ishte e gatshme për një takim të tillë.
Borrell informoi se gjatë takimeve dypalëshe, Kurti paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë, duke nisur nga firmosja e Marrëveshjes Bazë te tërheqja e letrës së Ana Bërnabiç nga BE e deri te dorëzimi i Milan Radoiçiç.
“E para, formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve. E dyta, përheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç, më 13 dhjetor 2023. Dhe e treta, dorëzimi i Millan Radoiçiçit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës”, tha Borrell gjatë një konference për media.
Borrell shtoi më tej se Serbia nuk ishte e gatshme që plotësisht të pranojë kushtet e vendosura nga Kurti. Sipas asaj që tha Borrell, Vuçiç ishte i gatshëm të diskutonte dy kushtet e para të Kurtit, por jo atë të dorëzimit të Radoiçiç!
“Presidenti Vuçiç la të kuptohet se është i gatshëm të eksplorojë mundësi sa i përket letrës së ish-kryeministres dhe formalizimit të Marrëveshjes, në linjë me praktikat e shkuara të dialogut, në mënyrë që të zhbllokohet zbatimi i marrëveshjes”, tha ai.
Gjatë takimeve të ndara midis Borrellit dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, me Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, sipas Borrellit, palët paraqitën qëndrimet e tyre se si procesi duhet të ecë përpara.
“Si zakonisht, diskutimet ishin të vështira dhe në fund nuk pati takim trepalësh. Kosova nuk ishte e gatshme për një takim të tillë, Serbia ishte”, përfundoi Borrell./REL
Lini një Përgjigje