
Qytetarët serbë protestuan ditën e sotme në Mitrovicë të Veriut dhe në Graçanicë, ku paraqitën një dokument të quajtur “Deklarata e Vidovdanit”. Në deklaratën e lexuar nga zyrtarë të Listës Serbe, ata pretendonin se serbët në Kosovë janë të ekspozuar ndaj dhunës.
Në deklaratë thuhej se nëse Prishtina vazhdon me aktivitetet dhe arrestimet e saj, serbët do të detyrohen t’u përgjigjen të gjithë atyre që u dëshirojnë të keqen dhe që ëndërrojnë luftën në vend të paqes.
Ish-kryetari i komunës së Zveçanit, Dragisha Milloviç, paralajmëroi gjatë tubimit në Mitrovicën e Veriut se do të përgjigjen nëse ‘zullumi’ ndaj popullatës serbe do të vazhdojë.
“Ne serbët nga veriu i Kosovës kemi një porosi, se nëse vazhdon ‘zullumi’ ndaj popullit tonë, do të detyrohemi t’i përgjigjemi të gjithë atyre të cilët na duan të keqen, të cilët ëndërrojnë luftë në vend të paqes, dhe do të jemi të bashkuar në luftën tonë të drejtë për mbijetesë dhe mbrojtjen e shtëpive dhe familjeve tona”, tha ai.
Ai u shpreh gjithashtu se serbët do të jenë të bashkuar si kurrë më parë në mbrojtjen e familjeve dhe shtëpive të tyre.
Tensionet në veri të Kosovës vazhdojnë ende. Gjatë orëve të vona të së hënës u raportua një sulm me granata dore kundër objektit të komunës në Mitrovicën e Veriut. Sipas policisë sulmi shkaktoi dëme materiale në automjetet zyrtare. Në një reagim, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i bëri thirrje Serbisë që të mos nxisë dhunë, dhe paralajmëroi mbi rrezikun e humbjes së jetëve si pasoje e veprimeve të tilla.
Lini një Përgjigje